
Një grua gjermane 38-vjeçare dhe një shtetas grek 43 vjeç u arrestuan muajin e kaluar, pasi autoritetet zbuluan se prej katër vitesh mbanin në frigorifer trupin e pajetë të foshnjës së tyre.
Sipas autoriteteve, fëmija kishte ndërruar jetë në vitin 2022, ndërsa në trupin e tij ishin konstatuar plagë të shumta dhe të rënda, të shkaktuara nga goditje me thikë.
Mediat kanë zbardhur së fundmi detaje nga dëshmia e çiftit në polici. Avokati i tyre në Hamburg, Christos Psarras, tregoi se dy të arrestuarit ndërronin shpesh banesë, mesatarisht çdo katër deri në pesë muaj.
Sipas tij, sa herë që zhvendoseshin në një apartament tjetër, çifti merrte me vete edhe trupin e foshnjës, duke e kaluar nga frigoriferi i banesës së vjetër në atë të banesës së re.
Avokati bëri të ditur gjithashtu se trupi mbahej në një enë brenda frigoriferit. Çifti ka pretenduar se vepronte në këtë mënyrë për të “nderuar kujtimin” e vajzës së tyre.
Megjithatë, rrethanat e vdekjes së foshnjës dhe plagët e konstatuara në trup janë pjesë e hetimeve të autoriteteve, ndërsa çështja po shqyrtohet edhe për përfshirjen e mundshme të personave të tjerë.






















