
Një vrasje e rëndë ka tronditur Greqinë, ku një grua 45-vjeçare me origjinë shqiptare u ekzekutua me armë zjarri nga një 48-vjeçar, po me origjinë shqiptare, i cili më pas u vetëvra. Ngjarja ndodhi në Nea Smyrni të Athinës, ndërsa autoritetet greke po hetojnë si pistë kryesore motivin sentimental.
Sipas iefimerida, 48-vjeçari e kishte pritur gruan jashtë banesës, e kishte kërcënuar me armë dhe e kishte detyruar të ulej në gjunjë para se ta qëllonte. E njëjta media raporton se viktima kishte ndërruar bravat e banesës, pasi dyshohet se kishte frikë nga kërcënimet e autorit.
Edhe Ethnos, duke iu referuar pamjeve të kamerave të sigurisë, shkruan se autori iu afrua 45-vjeçares kur ajo doli nga banesa, e kërcënoi me pistoletë dhe e urdhëroi të gjunjëzohej. Më pas, sipas këtij raportimi, ai dyshohet se e qëlloi dy herë, përpara se të kthente armën nga vetja dhe t’i jepte fund jetës.
Sipas Newsbomb, materiali filmik nga kamerat e sigurisë ka regjistruar lëvizjet e autorit para dhe pas krimit. Në pamje, 48-vjeçari dhe gruaja shihen duke folur për pak minuta, para se ai të nxjerrë armën dhe ta qëllojë.
Viktima ishte e divorcuar dhe jetonte me vajzën e saj të mitur, e cila nuk ndodhej në banesë në momentin e sulmit. Mediat greke raportojnë se gruaja kishte pasur më parë një lidhje me autorin, por marrëdhënia mes tyre kishte përfunduar.
Autoritetet po mbledhin dëshmi nga familjarë, miq dhe persona të afërt me dy viktimën dhe autorin, për të përcaktuar nëse krimi lidhej vetëm me motive personale apo edhe me konflikte të tjera. Deri tani, sipas raportimeve greke, nuk janë gjetur denoncime të mëparshme për dhunë në familje mes tyre, ndonëse po hetohen pretendimet se autori e xhelozonte dhe e kishte kërcënuar më parë.
Në vëmendje të policisë është edhe profili i 48-vjeçarit në rrjetet sociale, ku dyshohet se kishte publikuar një foto me armë. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu telefonat celularë të viktimës, në përpjekje për të rindërtuar komunikimet dhe rrethanat para krimit.
Nëna e 45-vjeçares është shfaqur e tronditur pas lajmit për vdekjen e së bijës. Sipas mediave greke, ajo ka thënë se nuk e njihte autorin dhe se sapo ishte njoftuar për tragjedinë.
Në vendin e ngjarjes kanë mbetur shenja plumbash në xhamat e pallatit, ndërsa pamjet e publikuara nga mediat greke tregojnë hyrjen e ndërtesës ku ndodhi ekzekutimi.






















