
Hetimet për të hedhur dritë mbi atentatin e ndodhur në Dukagjin, ku mbetën të vrarë Prelë Gjoni dhe djali i tij, Lekë Gjoni, si dhe u plagos Lazër Bashi, janë përqendruar në dy pista kryesore.
Burime policore bëjnë me dije se, pas ngjarjes që tronditi Dukagjinin pasditen e së dielës, janë shoqëruar vëllezërit dhe të afërmit e ish-bashkëshortes së Lekë Gjonit, me të cilën ai është divorcuar.
Një tjetër pistë është ajo e përfshirjes në aktivitetin kriminal të kultivimit të lëndëve narkotike apo spiunimit në polici të personave të tretë që merren me aktivitet.
Babë e bir, Prelë Gjoni, 82 vjeç, dhe djali i tij, Lekë Gjoni, 57 vjeç, u qëlluan për vdekje me 60 plumba të qëlluar nga 2 armë të ndryshme. I plagosuri Bashi, për shkak të gjendjes, ende nuk ka dhënë një dëshmi të detajuar për hetuesit.






















