Sociale 22 May 2026, 18:01 Nga VNA

Duopoli celular dhe negociatat me shtetin: Vodafone heq dorë nga frekuencat 2100 MHz

Ndaje në Whatsapp
Duopoli celular dhe negociatat me shtetin: Vodafone heq dorë nga frekuencat

Vodafone Albania ka hequr dorë nga shfrytëzimi i frekuencave në brezin 2100 Mhz, pasi nuk arriti të gjejë një marrëveshje me Qeverinë Shqiptare për çmimin e rinovimit të të drejtave të përdorimit.

Ky është rasti i parë që një operator i shërbimeve celulare nuk përtërin të drejtat e shfrytëzimit të një sasie domethënëse të spektrit, të cilat i kishte fituar në një procedurë të mëparshme konkurruese.

Vodafone Albania i fitoi të drejtat e përdorimit të brezit në fjalë në vitin 2010, në vijim të tenderit të parë për licencën e teknologjisë celulare 3G në Shqipëri.

Vodafone Albania ofroi shumën prej 31.4 milionë eurosh për licencën 15-vjeçare të shfrytëzimit të brezit në fjalë dhe nisi e para ofrimin e shërbimeve 3G në Shqipëri, në janar të vitit 2011.

Më pas, në vitin 2012, licencat 3G u përfituan edhe nga dy kompanitë e tjera AMC (Telekom Albania / One Telecommunications / One Albania) dhe Eagle Mobile (ALBtelecom).

Në fund të vitit të kaluar, Vodafone Albania paraqiti zyrtarisht në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) kërkesën për rinovimin e të drejtave të përdorimit vetëm në brezin 2100 Mhz, por jo në atë 1900 Mhz, që kishte përfituar në të njëjtin tender.

Në nëntor 2025, Këshilli Drejtues i AKEP miratoi raportin përmbledhës të vlerësimit mbi përmbushjen e të gjitha kushteve të përdorimit të frekuencave të brezit 2100 MHz nga sipërmarrësi Vodafone Albania, shoqëruar me propozimin për çmimin referencë minimal për rinovimin e autorizimit individual.

Raporti përmbledhës i vlerësimit i grupit të punës, shoqëruar me propozimin mbi çmimin referencë minimal për rinovimin e autorizimit individual, i është dërguar Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë për vijimin e procedurave të mëtejshme.

Sipas kronologjisë së AKEP, me urdhrin e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, më datë 13.01.2026, është ngritur Komisioni i posaçëm për negocimin dhe rinovimin e autorizimit individual të sipërmarrësit të komunikimeve elektronike Vodafone Albania për përdorimin e frekuencave të brezit 2100 MHz.

Bazuar në negociatat e zhvilluara në takimet e datave 21 janar dhe 27 janar 2026, palët nënshkruan aktin përfundimtar për mbylljen e procesit të negociimit pa dakordësi, pasi nuk arritën marrëveshje mbi çmimin minimal të propozuar.

Në zbatim të këtij vendimi, sipërmarrësi Vodafone Albania është urdhëruar të lirojë brezin e frekuencave 2100 MHz (15 MHz të çiftuara dhe 5 MHz të paçiftuara), që kishte përfituar në vitin 2010.

Ndërkohë, AKEP ka bërë të ditur se në vijim do të kryejë një proces konsultimi publik me palët e interesuara për kushtet e përdorimit të këtij brezi frekuencash dhe procedurën që do të zbatohet për alokimin e tyre.

Mosrinovimi i të drejtave të përdorimit të frekuencave nga Vodafone Albania tregon se konkurrenca më e kufizuar në tregun e shërbimeve celulare po fillon të shfaqë efekte edhe në të ardhurat e shtetit nga dhënia në përdorim e spektrit të radiofrekuencave.

Me vetëm dy operatorë në treg, edhe fuqia negociuese e tyre në raport me shtetin shqiptar duket se është forcuar.

Tregu celular po kalon një moment delikat pas kthimit në strukturë duopoli. Operatorët po rrisin çmimet në përpjekje për të përmirësuar treguesit financiarë, pas më shumë se një dekade me rezultate në përgjithësi zhgënjyese për shkak të konkurrencës së ashpër.

Ata e argumentojnë këtë si domosdoshmëri për ta bërë tregun më tërheqës për aksionarët e tyre, por edhe për të mbështetur nevojën e vazhdueshme për investime në teknologji.

Nga ana tjetër, përdoruesit po përballen me çmime më të larta të shërbimeve.

Në nëntor të vitit të kaluar, Autoriteti i Konkurrencës hapi një hetim të thelluar në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, të nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve nga të dy operatorët pas vitit 2023. / Marrë nga Monitor

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme