Bota 17 Shtator 2024, 21:58 Nga VNA

Dha intervistë për Radio Evropa e Lirë, qytetari nga Moska dënohet me 5 vite burg

Ndaje në Whatsapp
Dha intervistë për Radio Evropa e Lirë, qytetari nga Moska

Banori i Moskës, Yury Kokhovets, është dënuar me pesë vjet burgim për dënimin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia gjatë një interviste në rrugë në korrik të vitit 2022 për një gazetar të Radios Evropa e Lirë (REL).

Gjykata e Qytetit të Moskës shpalli vendimin më 17 shtator, duke anuluar vendimin e një gjykate të shkallës më të ulët në prill, që dënonte Kokhovets me pesë vjet “punë të detyruar”.

Kokhovets u arrestua menjëherë pas shpalljes së vendimit.

Dënimi i përcaktuar si punë e detyruar në Rusi nënkupton që të dënuarit nuk vuajnë dënimin në burg, por në vend të kësaj, mund të zgjedhin të qëndrojnë në shtëpi dhe të dërgohen për të punuar në një objekt të afërt industrial, sipas përcaktimeve të Shërbimit Federal të Burgjeve.

Një pjesë e pagës së tyre u zbritet nga shteti.

Gjykata e Qytetit të Moskës, megjithatë, tha se e ndryshoi dënimin pasi e shpalli Kokhovets fajtor për “shpërndarje të informacioneve të rrejshme rreth ushtrisë ruse bazuar në urrejtje politike”.

Në korrik të vitit 2022, Kokhovets u pyet nga një gazetar i Radios Evropa e Lirë nëse mendonte se ishte e nevojshme një zbutje e tensioneve midis Rusisë dhe vendeve të NATO-s.

“Sigurisht që na nevojitet (shtensionimi), por gjithçka varet nga Qeveria jonë. Qeveria jonë është ajo që e ka nisur këtë… Është Rusia ajo që i ka krijuar të gjitha këto probleme,” kishte thënë Kokhovets për REL-in. “Unë nuk shoh asnjë problem me NATO-n, ajo nuk ka në plan të sulmojë askënd.”

Ai shtoi se forcat ruse kishin vrarë civilë në periferi të Kievit, në Buça “pa asnjë arsye”.

Moska mohon akuzat se ka kryer krime lufte në Ukrainë.

Kokhovets pranoi pjesërisht fajësinë, duke mohuar që deklaratat e tij gjatë intervistës me Radion Evropa e Lirë ishin të bazuara në urrejtje. Ai gjithashtu deklaroi në gjyq se po ushtronte të drejtën e tij kushtetuese për të shprehur lirshëm mendimin e tij gjatë bisedës me gazetarin e REL-it.

Gjatë seancës më 17 shtator, Kokhovets tha gjithashtu se nuk e dinte që të flisje me Radion Evropa e Lirë ishte shkelje e Kodit Penal dhe se nuk kishte ide që intervista e dhënë për REL-in do të publikohej në internet.

Avokatja e tij tha në gjyqin fillestar se klienti i saj nuk kishte urrejtje ndaj askujt kur foli për REL-in.

Sipas Yelena Sheremetyeva, “provat” e fajësisë së klientit të saj bazoheshin tërësisht në një ekzaminim gjuhësor forensik të fjalëve të tij, që sipas saj, ishte kryer me shkelje të rënda, përfshirë faktin që dy personat që studiuan deklaratat e tij nuk ishin gjuhëtarë të licencuar nga shteti.

Studimi forensik gjuhësor u krye nga mësuesja e matematikës Natalya Kryukova, dhe përkthyesi Aleksandr Tarasov, të cilët gjithashtu kryen ekzaminime të ngjashme gjuhësore në rastet e mbylljes së Qendrës për të Drejtat e Njeriut, Memorial, në vitin 2021, dhe burgosjes së bashkëkryetarit të Memorialit, Oleg Orlov, në shkurt të këtij viti./REL

Video

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen: “Groenlanda i përket popullit të saj. Prandaj, i takon Danimarkës dhe Groenlandës, dhe vetëm atyre, të vendosin për çështjet që lidhen me Danimarkën dhe Groenlandën. Groenlanda është pjesë e NATO-s.”

Dy anije cisternë u shënjestruan nga një sulm me dronë në Detin e Zi, i raportuar në orët e para të mëngjesit në një zonë detare pranë portit të Novorossiysk. Në rrjetet sociale është publikuar një video ku shihet momenti kur një dron godet cisternën “Delta Harmony”, megjithëse rrethanat e plota të sulmit mbeten ende të paqarta. Sipas të dhënave, njëra prej cisternave është “Delta Harmony”, e operuar nga kompania greke Delta Tankers, e cila pritej të ngarkonte naftë nga Tengizchevroil. Anija tjetër është “Matilda”, e operuar nga kompania greke Thenamaris, e planifikuar për të ngarkuar naftë nga Karachaganak.

13 dhjetor 2021. Sali Berisha për shpenzimet e Kuvendit të Rithemelimit: Janë bërë transparente dhe do bëhet çdo qindarkë për shpenzimet e Kuvendit, të cilat ju garantoj se janë minimumi 50 herë më të ulëta sesa shpenzimet që paraqet pengmarrësi Edi Rama me pengun e tij Lulzim Basha në mediat e tyre. Por çdo gjë do bëhet transparente, me fatura dhe gjithçka tjetër. Pas 4 vitesh nuk ka ende asnjë transparencë.

Disa qindra fermerë u mblodhën sot përpara Asamblesë Kombëtare në Paris për të protestuar kundër marrëveshjes tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Mercosur-it. Gjatë protestës, fermerët ndërmorën një veprim simbolik duke derdhur rreth 25 tonë patate përpara ndërtesës së Asamblesë Kombëtare, si shenjë kundërshtimi ndaj politikave që, sipas tyre, rrezikojnë seriozisht bujqësinë vendase franceze. Protestuesit shprehën shqetësimin se marrëveshja me Mercosur-in do të lehtësonte importin e produkteve bujqësore nga Amerika e Jugut, të cilat prodhohen me standarde më të ulëta mjedisore dhe sociale, duke krijuar konkurrencë të padrejtë për fermerët evropianë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme