Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se operacionet ushtarake amerikane kundër Iran pritet të përfundojnë brenda dy deri në tre javëve të ardhshme, duke theksuar se objektivi kryesor i kësaj fushate tashmë është arritur.
Sipas tij, synimi themelor i strategjisë amerikane ka qenë parandalimi i Tehranit për të zhvilluar armë bërthamore. “Ky ishte objektivi dhe është arritur”, u shpreh Trump, duke shtuar se zhvillimet në terren kanë dobësuar ndjeshëm kapacitetet ushtarake të Iranit.
Ai bëri të ditur se operacionet ndodhen në fazën përfundimtare. “Tani po e mbyllim këtë çështje. Mendoj se brenda dy javësh, ose pak më shumë, gjithçka do të ketë përfunduar. Synojmë të neutralizojmë çdo kapacitet që u ka mbetur”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump la të hapur gjithashtu mundësinë e një marrëveshjeje mes Washingtonit dhe Teheranit, edhe para përfundimit të plotë të operacioneve ushtarake. “Mund të ketë një marrëveshje”, tha ai, duke shtuar se rezultati nuk varet domosdoshmërisht nga pjesëmarrja e Iranit në negociata.
Në deklaratat e tij, Trump pretendoi se ndërhyrja amerikane ka vonuar programin iranian për dekada. “Nuk ka rëndësi nëse ulen në tryezë apo jo. I kemi kthyer pas 15 deri në 20 vite. Nuk kanë flotë detare, nuk kanë ushtri, nuk kanë forcë ajrore”, u shpreh ai.
Ai shtoi gjithashtu se udhëheqja iraniane është dobësuar ndjeshëm, duke theksuar se vendi “nuk ka më liderë funksionalë”.






















