Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, paralajmëroi se një ligj i ri i miratuar nga parlamenti izraelit mund të përbëjë krim lufte, pasi parashikon dënimin me vdekje për palestinezët e dënuar për sulme terroriste, por nuk do të zbatohej ndaj ekstremistëve hebrenj për krime të ngjashme.
Sipas Türk, projektligji është “qartësisht në kundërshtim me detyrimet e Izraelit sipas të drejtës ndërkombëtare”, duke ngritur shqetësime serioze për shkelje të procesit të rregullt ligjor dhe për diskriminim të thellë. Ai kërkoi që ligji të shfuqizohet menjëherë.
“Zbatimi i tij në mënyrë diskriminuese do të përbënte një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare. Nëse zbatohet ndaj banorëve të territoreve palestineze të pushtuara, ai do të përbënte krim lufte”, tha Türk.
Ligji, i miratuar nga Knesseti të hënën, është kritikuar gjerësisht nga liderë evropianë dhe organizata të të drejtave të njeriut. Zëdhënësi i BE-së, Anouar El Anouni, e cilësoi atë një hap prapa, duke theksuar se dënimi me vdekje dhe natyra diskriminuese e ligjit janë shumë shqetësuese për Bashkimin Evropian.
Edhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez reagoi duke shkruar se masa është “asimetrike”, pasi i njëjti krim do të ndëshkohej ndryshe në varësi të përkatësisë.
Sipas projektligjit, palestinezët e shpallur fajtorë për sulme vdekjeprurëse nga një gjykatë ushtarake në Bregun Perëndimor mund të dënohen automatikisht me vdekje. Të dënuarit do të mbaheshin në izolim, me kontakte të kufizuara dhe ekzekutimi do të kryhej brenda 90 ditësh nga vendimi.
Izraeli e ka përdorur shumë rrallë dënimin me vdekje. Personi i fundit i ekzekutuar ishte krimineli nazist Adolf Eichmann në vitin 1962.
Ligji po përballet tashmë me sfida ligjore në Izrael. Organizata të të drejtave të njeriut dhe disa deputetë kanë depozituar kërkesa në Gjykatën Supreme për ta rrëzuar atë, duke argumentuar se krijon një sistem drejtësie me dy standarde që synon kryesisht palestinezët.






















