Një nga figurat më të reja dhe të papritura në politikën hungareze, Péter Magyar, po shfaqet si rivali më serioz i kryeministrit Viktor Orbán, në prag të zgjedhjeve të 12 prillit.
Magyar, një ish-anëtar i partisë në pushtet Fidesz dhe dikur pjesë e rrethit të afërt të Orbánit, është kthyer në një kritik të ashpër të qeverisë, duke e akuzuar atë për korrupsion dhe klientelizëm. Ai përdori sloganin “Mos kini frikë” për të thirrur qytetarët të përballen me sistemin politik që, sipas tij, ka përqendruar pushtetin dhe pasurinë në duart e një elite të vogël.
45-vjeçari vjen nga një familje konservatore e njohur në Budapest dhe për vite me radhë ishte pjesë e establishmentit politik. Ai u bashkua me Fidesz në vitin 2003 dhe në vitin 2006 u martua me Judit Varga, një figurë në ngjitje në partinë e Orbánit dhe më pas ministre e Drejtësisë.
Karriera politike e Vargës përfundoi në vitin 2024, pas një skandali që lidhej me faljen e një zyrtari të dënuar për fshehjen e një rasti abuzimi seksual me fëmijë. Skandali çoi në dorëheqjen e saj dhe të presidentes së atëhershme të vendit, Katalin Novák.
Pas këtij episodi, Magyar u distancua nga Fidesz dhe akuzoi qeverinë për rënien morale dhe përdorimin e grave si “mburojë politike” për skandalet e pushtetit.
Partia e tij e re, Tisza, sipas disa sondazheve të pavarura kryeson me diferencë dyshifrore ndaj Fidesz, ndërsa institucionet pranë qeverisë pretendojnë se partia e Orbánit mbetet në avantazh.
Magyar ka fituar vëmendje edhe për stilin e tij të pazakontë në komunikim politik, duke përdorur rrjetet sociale dhe ironinë për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve nga mediat proqeveritare.
Programi i tij politik përqendrohet në luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e shërbimeve sociale, ringjalljen e ekonomisë dhe uljen e inflacionit, ndërsa ai premton të rikthejë balancat demokratike në vend.
Në një tubim të fundit, ai u drejtua drejtpërdrejt ndaj elitës së Orbánit me një mesazh të fortë:
“Shokë, ka mbaruar.”
Megjithatë, edhe pse më kritik ndaj qeverisë aktuale dhe më i hapur ndaj Bashkimit Europian, Magyar mbetet një politikan me prirje nacionaliste dhe ka deklaruar se Hungaria duhet të ruajë opsionin për energjinë e lirë ruse, që sipas tij është e domosdoshme për ekonominë europiane.
Pas 16 vitesh në pushtet të pandërprerë të Viktor Orbánit, shumë analistë e shohin rritjen e Péter Magyar si sfidën më serioze politike ndaj liderit hungarez në më shumë se një dekadë.






















