
Një tanker i ngarkuar plot me naftë bruto u godit nga një dron iranian në portin e Dubait të hënën në mbrëmje, duke shkaktuar zjarr në bord dhe duke rikthyer frikën për sigurinë e marinarëve civilë që ndodhen në zonën e konfliktit gjatë luftës mes SHBA-Izraelit dhe Iranit.
Sipas raportimit të The Guardian, qindra marinarë që ndodheshin në anije të tjera të ankoruara pranë portit panë nga afër shpërthimin dhe zjarrin që përfshiu tankerin. Mijëra të tjerë dëgjuan përmes radios komunikimet e ekuipazhit me autoritetet portuale ndërsa situata po zhvillohej.
Një marinar nga një tanker i ankoruar disa milje larg vendit të shpërthimit tregoi se shpërthimi ndodhi rreth mesnatës. “Oficerët tanë në urën e komandimit e panë shpërthimin. Kur u ktheva në urë disa orë më vonë, zjarri vazhdonte ende. Është e tmerrshme të imagjinosh se çfarë kanë kaluar ata marinarë”, tha ai për gazetën britanike.
Autoritetet e Dubait konfirmuan se sulmi me dron goditi tankerin Salmi, i cili i përket kompanisë shtetërore të naftës së Kuvajtit. Sipas tyre, zjarri në bord u shua në orët e para të mëngjesit të së martës.
Ekipet e zjarrfikjes detare ndërhynë për të shuar flakët dhe për të vlerësuar dëmet. Autoritetet theksuan se nuk ka pasur rrjedhje nafte dhe as të lënduar, ndërsa të gjithë 24 anëtarët e ekuipazhit janë të sigurt.
Një tjetër marinar tregoi se komunikimet me radio gjatë sulmit treguan profesionalizëm të madh nga ekuipazhi i goditur. “I dëgjonim në radio kur u goditën. Ishin shumë të qetë dhe profesionistë. Kur erdhi rimorkiatori i ndihmës, ata kishin arritur ta kontrollonin pothuajse vetë zjarrin. Zjarri zgjati rreth tre orë”, tha ai.
Pas incidentit, dhjetëra tankerë nafte kanë lënë zonën, duke u përpjekur të shmangin sulme të tjera të mundshme nga Irani ndaj anijeve që u përkasin vendeve të Gjirit.
“Ka edhe tankerë të tjerë kuvajtianë këtu përreth, me ekuipazhe që nuk kanë lidhje me këtë konflikt. Nëse unë ndihem i frikësuar, nuk mund ta imagjinoj se si ndihen ata”, tha marinari. “Ne kemi ngritur spirancën dhe jemi larguar më tej. Shumica e anijeve janë larguar, por në të vërtetë nuk ka vend të sigurt këtu”.
Sulmi ndodhi vetëm disa orë pasi Donald Trump paralajmëroi se SHBA mund të shkatërrojë impiantet energjetike dhe fushat e naftës së Iranit nëse Teherani nuk hap ngushticën strategjike të Hormuzit.
Konflikti njëmujor në Lindjen e Mesme ka shkaktuar mijëra viktima, ka tronditur furnizimet globale me energji dhe ka shtuar frikën për një krizë ekonomike globale.
Pas raportimit për sulmin ndaj tanker-it, çmimi i naftës Brent u rrit mbi 118 dollarë për fuçi, ndërsa tregjet po përjetojnë një nga rritjet më të mëdha mujore në histori.
Sipas raportimeve, tankeri Salmi ishte nisur drejt Qingdao në Kinë dhe kishte kapacitet për të transportuar rreth 2 milionë fuçi naftë, me një vlerë që i kalon 200 milionë dollarët.






















