Një ndryshim i papritur kursi ka ndodhur në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me luftën në Iran. Media amerikane The Wall Street Journal raporton se presidenti amerikan Donald Trump u ka thënë ndihmësve të tij se është i gatshëm t’i japë fund fushatës ushtarake amerikane kundër Iranit edhe nëse Ngushtica e Hormuzit mbetet kryesisht e mbyllur.
Një vendim i tillë mund të zgjasë kontrollin e fortë të Teheranit mbi këtë rrugë ujore strategjike dhe ta shtyjë për një kohë të mëvonshme një operacion kompleks për rihapjen e saj.
Sipas raportimit të gazetës amerikane, gjatë ditëve të fundit Trump dhe këshilltarët e tij kanë vlerësuar se një mision ushtarak për të rihapur ngushticën do ta zgjasë konfliktin përtej afatit që administrata amerikane kishte parashikuar – rreth katër deri në gjashtë javë.
Për këtë arsye, presidenti ka vendosur që SHBA-të të fokusohen në objektivat kryesore: dobësimin e marinës iraniane dhe të kapaciteteve të saj raketore, ndërsa në të njëjtën kohë të ushtrojnë presion diplomatik ndaj Teheranit për të rifilluar rrjedhën e lirë të tregtisë në ngushticë.
Nëse kjo strategji dështon, Uashingtoni mund të shtyjë aleatët në Europë dhe në Gjirin Persik që të marrin vetë iniciativën për rihapjen e rrugës detare, kanë bërë të ditur zyrtarë për WSJ. Opsionet ushtarake mbeten ende në tavolinë, por sipas tyre nuk janë prioriteti i menjëhershëm i presidentit.
Gjatë muajit të fundit, Trump ka dhënë deklarata të ndryshme dhe shpesh kontradiktore mbi mënyrën se si duhet trajtuar kriza e Hormuzit. Në disa raste ai ka kërcënuar të bombardojë infrastrukturën energjetike të Iranit nëse ngushtica nuk rihapet deri në një afat të caktuar. Në raste të tjera, ai e ka minimizuar rëndësinë e saj për SHBA-në, duke thënë se mbyllja e saj është një problem që duhet ta zgjidhin vendet e tjera.
Sa më gjatë të mbetet e mbyllur Ngushtica e Hormuzit, aq më i madh bëhet ndikimi në ekonominë globale dhe në çmimet e energjisë. Shumë vende – përfshirë edhe aleatë të SHBA-së – po përballen me rënie të furnizimit me energji që më parë kalonte lirshëm nëpër këtë korridor strategjik.
Industrinë që varen nga produkte si plehrat kimike për bujqësinë apo helium për prodhimin e çipave kompjuterikë po përballen tashmë me mungesa.
Analistët paralajmërojnë se pa një rikthim të shpejtë të kalimeve të sigurta në ngushticë, Teherani do të vazhdojë të ketë në dorë një mjet të fuqishëm presioni mbi tregtinë botërore – derisa SHBA dhe partnerët e saj ose të arrijnë një marrëveshje, ose ta mbyllin krizën me forcë.






















