Faza e reflektimit po zgjatet dhe mjegulla politike do të shpërndahet vetëm kur Giorgia Meloni të sqarojë publikisht perspektivën e qeverisë së saj, shkruan rainews.it.
Megjithatë, një sinjal i rëndësishëm del nga fjalët e kryeministres, e cila, duke mbrojtur efektivitetin e dekretit për sigurinë pas ndalimit të 91 anarkistëve, ka përcaktuar drejtimin: “Qeveria do të vazhdojë të ecë në këtë drejtim, me më shumë mjete për sigurinë dhe mbrojtje për ata që protestojnë në mënyrë paqësore”.
Një javë pas dështimit të referendumit, i rënduar edhe nga dorëheqjet e Daniela Santanchè, Andrea Delmastro dhe Giusi Bartolozzi, skenari mbetet i paqartë.
Edhe pse ideja e zgjedhjeve të parakohshme u përmend fillimisht në Palazzo Chigi, aleatët dhe besnikët tani priren ta përjashtojnë atë, duke u fokusuar te mundësia e një riformatimi të qeverisë, që mund të jetë nga një ndryshim i lehtë deri te një ristrukturim më i thellë i kabinetit.
Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, po ndjek zhvillimet me kujdesin e zakonshëm. Në Quirinale po analizohen lëvizjet e mundshme të kryeministres, duke u nisur nga fakti se Kreu i Shtetit nuk preferon tronditje në një shumicë me numra të qëndrueshëm, sidomos në një situatë ndërkombëtare kaq komplekse.
Mattarella ka rinovuar thirrjen për përgjegjësi ndaj gjithë komunitetit kombëtar. Nëse zëvendësimi i vetëm i Santanchè do të konsiderohej një hap pa pasoja, një ndryshim më i thellë i ministrave mund të krijojë një “Meloni bis”, duke hapur skenarë proceduralë më të ndërlikuar.
Në tryezën e qeverisë peshojnë edhe sondazhet: rënie të ”Fratelli d’Italia”, ndërsa formacioni i ri Futuro Nazionale arrin në 3%, një përqindje që mund të jetë vendimtare për balancat e së djathtës.
Shqetësimi kryesor i Melonit, i shprehur qartë te bashkëpunëtorët e saj, është rreziku i konsumimit politik.
Pavarësisht se takimi i fundit me Antonio Tajani dhe Matteo Salvini ka forcuar kohezionin, kryeministrja ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, duke dashur të raportojë më parë te Kreu i Shtetit.
Për shumë besnikë, objektivi mbetet përfundimi i legjislaturës, që do ta bënte këtë qeveri më jetëgjatën në historinë republikane.
Për ta arritur këtë, prioritetet janë dy: ringritja e veprimit qeveritar për të rikuperuar mbështetjen dhe përshpejtimi i ligjit të ri zgjedhor.
Ndërkohë, po punohet për pasuesin në Ministrinë e Turizmit.
Në krye për një zgjidhje të përkohshme është emri teknik i Alessandra Priante, ndërsa për vendet e lira të lëna nga Delmastro dhe Bartolozzi përmenden Francesco Paolo Sisto dhe Andrea Ostellari, me hyrje të mundshme të reja si Sara Kelany ose Carolina Varchi.






















