
Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammed Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se në Iran komuniteti i krishterë vazhdon të kremtojë lirshëm në kisha, ndërsa ka akuzuar Izraelin se po përpiqet të zhdukë praninë e krishterimit dhe islamit në territoret e pushtuara.
Në një postim në rrjetin social X, Ghalibaf bëri të ditur se meshët e së Dielës së Palmave u mbajtën në Teheran, Tabriz dhe Urmia, pavarësisht bombardimeve izraelite që – sipas tij – kanë goditur civilët.
Ai publikoi gjithashtu disa foto nga ceremonitë fetare në Iran, një ditë pas polemikave të shkaktuara nga vendimi i Izraelit për të ndaluar patriarkun latin të Jeruzalemit, Pierbattista Pizzaballa, të zhvillonte ritet në Bazilikën e Varrit të Shenjtë në Jerusalem.
“Para vitit 1948, të krishterët përbënin 12.5% të popullsisë në territoret e pushtuara. Sot janë vetëm 1%. Sionizmi po përpiqet të zhdukë çdo gjurmë të Islamit dhe të Krishterimit,” shkroi Ghalibaf.























