Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka dënuar ashpër ndalimin e hyrjes së Patriarkut Latin të Jerusalemit në Kishën e Varrit të Shenjtë, duke e cilësuar këtë veprim si një “sulm të pajustifikuar ndaj lirisë fetare”.
Sipas tij, pengimi “pa arsye” i Patriarkut për të hyrë në tempull dhe për të zhvilluar meshën e së Dielës së Palmave për besimtarët katolikë përbën një shkelje serioze të të drejtave fetare.
“Nga qeveria spanjolle, ne e dënojmë këtë sulm të pajustifikuar ndaj lirisë fetare dhe kërkojmë nga Izraeli të respektojë diversitetin e besimeve fetare dhe të drejtën ndërkombëtare. Pa tolerancë, bashkëjetesa është e pamundur”, shkroi Sánchez në një reagim në rrjetet sociale.
Deklarata vjen në një kohë tensionesh të larta në rajon, ndërsa çështjet që lidhen me aksesin në vendet e shenjta vazhdojnë të shkaktojnë reagime ndërkombëtare.






















