Kryetari i Parlamentit të Iran, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se forcat e armatosura iraniane janë në gatishmëri për një ndërhyrje të mundshme tokësore amerikane, duke paralajmëruar se çdo operacion i tillë do të përballet me një reagim të ashpër nga Teherani.
Sipas mediave shtetërore iraniane, Ghalibaf tha se ushtria iraniane “pret” një ofensivë tokësore nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa shtoi se në rast të një përshkallëzimi, Irani do të godasë jo vetëm trupat amerikane, por edhe partnerët rajonalë të Washingtonit.
Deklarata vjen në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm, ndërsa raportime të disa mediave ndërkombëtare flasin për vendosje të forcave shtesë amerikane në rajon dhe përgatitje të mundshme për operacione të zgjeruara ushtarake.
Sipas raportimeve të agjencive ndërkombëtare si Reuters dhe Associated Press, SHBA kanë dërguar njësi shtesë detare dhe mjete amfibe në Lindjen e Mesme gjatë javëve të fundit, në kuadër të përshkallëzimit të konfliktit me Iranin dhe aleatët e tij.
Ghalibaf akuzoi Washingtonin se ndërsa publikisht flet për negociata, në të njëjtën kohë po përgatit fshehurazi një operacion ushtarak në terren. Sipas tij, kjo qasje vetëm sa rrit rrezikun e një përplasjeje të drejtpërdrejtë në rajon.
Analistët paralajmërojnë se një ndërhyrje tokësore amerikane kundër Iranit do të përbënte një përshkallëzim të paprecedentë të konfliktit dhe mund të përfshinte në luftë disa vende të Lindjes së Mesme, duke rritur rrezikun për një krizë të gjerë rajonale dhe ekonomike.






















