22 persona që kishin nisur lundrimin nga Libia me varkë drejt Greqisë kanë humbur jetën në ujërat e shtetit helen. Ndërkohë që 26 persona të tjerë mes tyre një grua dhe një i mitur, u shpëtuan pranë ishullit të Kretës nga një anije e Frontex. Dy prej të mbijetuarve janë dërguar në spitalin e Heraklionit për ndihmë mjekësore.
Sipas dëshmive të të mbijetuarve për Rojën Bregdetare Greke, viktimat ndërruan jetë pas gjashtë ditësh në det.
Dëshmitarët thanë për autoritetet greke se trupat e viktimave janë hedhur në det me urdhër të njërit prej trafikantëve. Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar dy shtetas nga Sudani i Jugut, të moshës 19 dhe 22 vjeç, të dyshuar si organizatorë.
Sipas hetimeve paraprake, varka ishte nisur më 21 mars nga Tobruku, në lindje të Libisë, me destinacion Greqinë. Gjatë udhëtimit, emigrantët humbën orientimin dhe qëndruan në det për disa ditë pa ushqim dhe ujë.






















