Irani ka bërë të ditur se fëmijë, nisur prej moshës 12-vjeçare, mund të anëtarësohen në programin e ri “për luftëtarët që mbrojnë atdheun”.
Skema e rekrutimit është raportuar nga disa media iraniane dhe është prezantuar nga një zyrtar i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, që është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara më 26 mars.
Rahim Nadali, zëvendësdrejtori i Gardës për sektorin e Kulturës në Teheran, ka thënë përmes një njoftimi televiziv se programi është përgjigje ndaj kërkesës së madhe të publikut për t’iu ndihmuar ushtarëve që po përballen me “agresion global”, duke iu referuar sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite.
Ky pretendim nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë, e cila nuk ka leje për të operuar në Iran.
“Ne e kemi lansuar një plan që e quajmë Për Iranin, e ai është plan për luftëtarët që e mbrojmë atdheun”, ka thënë Nadali. “E kemi caktuar moshën minimale në 12 e lart”.
Mediat iraniane kanë raportuar se në mesin e detyrave për rekrutët do të përfshihen patrullimet dhe “turnet në pika kontrolli”.
Diçka e tillë mund t’i rrezikojë fëmijët. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i kanë sulmuar pikat e kontrollit që i takonin milicisë Basij, degë e Gardës Revolucionare, e angazhuar për shtypje brutale të disidencës në Iran.
Një thirrje e Basijit për rekrutim, e publikuar në mediat iraniane për programin Për Iranin, shfaqte fëmijë që shihet se janë në grup-moshën e synuar të projektit, duke qëndruar mes flamujve iranianë teksa raketat e djegura rrëzohen nga qielli./REL/






















