Bota 28 Mars 2026, 09:03 Nga VNA

Lufta në Iran përplas Donald Trump dhe kancelarin Merz

Ndaje në Whatsapp

Lufta në Iran përplas Donald Trump dhe kancelarin Merz

Donald Trump kritikoi përsëri aleatët e NATO-s për mosdhënien e ndihmës në Ngushticën e Hormuzit, si edhe kancelarin gjerman. Merz po ashtu ushtron kritika ndaj Trumpit për mosuljen e tensioneve.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kritikuar kancelarin gjerman Friedrich Merz (CDU) për mungesën e ndihmës në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit. Në një konferencë në Miami të Floridës, republikani fillimisht sulmoi aleatët e NATO-s, Francën dhe Britaninë e Madhe, dhe më pas e ktheu vëmendjen tek Gjermania: “Kancelari gjerman – të gjithë këta janë miqtë e mi – Friedrich. Kancelari gjerman tha: ‘Kjo nuk është lufta jonë'”. Trump shtoi se, atëherë, as lufta në Ukrainë nuk është lufta e SHBA-së.

Një ditë më parë, Trump e kishte kritikuar po ashtu Gjermaninë, duke u shprehur, se e konsideron “të papërshtatshme” që pala gjermane kishte deklaruar: “Kjo nuk është lufta jonë”. Megjithëse, Trump nuk përmendi askënd konkretisht, duket se ia atribuoi deklaratën Kancelarit të Gjermanisë. Por fraza fillimisht erdhi nga Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius (SPD). Merz vetëm bëri së fundmi një deklaratë të ngjashme gjatë një vizite në Norvegji: “Gjermania nuk është pjesë e kësaj lufte dhe ne nuk duam të jemi”.

Edhe Kancelari gjerman kritikon Donald Trump
Por edh Kancelari gjerman Friedrich Merz ka kritikuar mënyrën se si Presidenti i SHBA-së Donald Trump po e trajton luftën e Iranit. “Ajo që Trump po bën tani nuk është deeskalim dhe një përpjekje për të arritur një zgjidhje paqësore, por më tepër një përshkallëzim masiv me një rezultat të pasigurt”, tha Merz në “Kongresin F.A.Z” të premten. “Këto janë përshkallëzime që tani janë kërcënuese. Jo vetëm për ata që preken drejtpërdrejt, por për të gjithë ne.”

Kancelari Friedrich Merz (CDU) ka pak shpresa për një përfundim të shpejtë të luftës në Iran. “Kam dyshime serioze nëse ekziston një strategji”, tha ai, duke iu referuar operacionit ushtarak SHBA-Izrael. Megjithatë, nëse arrihet një armëpushim, Merz u ka ofruar Shteteve të Bashkuara ndihmë – për shembull, sigurimin ushtarak në Ngushticën e Hormuzit së bashku me vendet e tjera./DW/

Video

Dubai është përfshirë nga një stuhi e fuqishme. Sipas pamjeve të publikuara në rrjete sociale, re të dendura, vetëtima të shpeshta dhe reshje intensive kanë përfshirë zonën, duke treguar për kushte të rënda atmosferike.

Një fëmijë iranian luan në një lëkundëse në një plazh në qytetin Bandar Abbas, pranë Ngushticës së Hormuzit, ndërsa në sfond shihen shtëllunga tymi. Sipas raportimeve, tymi dyshohet të ketë ardhur nga sulme të kryera ndaj një baze detare iraniane në zonë.

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në kampet e të zhvendosurve dhe në spitalet e improvizuara në pjesën qendrore dhe jugore të Rripit të Gazës, duke përkeqësuar më tej situatën humanitare në zonë. Sipas raportimeve, infrastruktura në Gaza është në gjendje të rënduar dhe kryesisht jofunksionale pas dy vitesh sulmesh dhe bllokade. Shumica e popullsisë prej rreth 2.4 milionë banorësh vazhdon të jetë e zhvendosur, me shumë persona që jetojnë në tenda të papërshtatshme dhe pa kushte bazë jetese.

Shoferët në Tajlandë janë përballur me radhë të gjata në pikat e karburantit për shkak të mungesës së karburantit dhe rritjes së çmimeve. Sipas raportimeve lokale, rritja e çmimeve lidhet me uljen e subvencioneve qeveritare dhe heqjen e tavanit të çmimeve, të ndikuara edhe nga tensionet në Lindjen e Mesme.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme