Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se mes Teheranit dhe Shteteve të Bashkuara janë shkëmbyer mesazhe, por kjo nuk do të thotë se palët janë në negociata të drejtpërdrejta.
Në një intervistë për Al Jazeera, Araghchi tha se komunikimet janë zhvilluar ose drejtpërdrejt, ose përmes vendeve mike në rajon, ndërsa theksoi se të gjitha mesazhet kalojnë përmes Ministrisë së Jashtme dhe janë nën mbikëqyrjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Iranit.
Ai shtoi se Irani nuk ka marrë ende një vendim për të hyrë në negociata me SHBA dhe se ka rezerva për një proces të tillë.
Sipas tij, Teherani nuk i është përgjigjur një propozimi amerikan me 15 pika dhe nuk ka paraqitur kundërpropozime apo kushte.
Araghchi theksoi gjithashtu se Irani nuk do të pranojë vetëm një pauzë të përkohshme në luftime, por kërkon ndërprerjen e plotë të armiqësive në të gjithë rajonin.






















