Një komitet i parlamentit iranian ka miratuar një propozim për vendosjen e një tarife për anijet që kalojnë nëpër ngushticën e Hormuzit, sipas raportimeve të mediave shtetërore iraniane.
Sipas agjencisë së lajmeve Fars, plani parashikon që anijeve nga SHBA, Izraeli dhe vendet që kanë vendosur sanksione ndaj Iranit t’u ndalohet kalimi në këtë rrugë detare strategjike. Në një postim në Telegram thuhet se Irani do të ketë një rol “sovran” në zbatimin e sistemit të ri.
Propozimi, i miratuar nga komiteti parlamentar për sigurinë, pritet të kërkojë edhe miratimin e vendeve të tjera që ndodhen pranë ngushticës. Ende nuk dihet se sa do të jetë tarifa që do të paguajnë anijet për kalimin.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje me Iranin – përfshirë rihapjen e korridorit detar të Hormuzit – forcat amerikane do të shkatërrojnë “të gjitha centralet elektrike, puset e naftës dhe ishullin Kharg (dhe ndoshta edhe impiantet e desalinizimit)”.
Mbyllja e kësaj ngushtice ka shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të energjisë në tregjet globale. Në SHBA, qytetarët po përballen me rritje të çmimeve të karburantit, ndërsa fermerët me kosto më të larta për plehrat kimike dhe rënie të çmimeve të produkteve bujqësore.
Megjithatë, të dhënat e monitorimit të anijeve tregojnë se dy anije kontejnerësh të kompanisë kineze Cosco kanë kaluar me sukses përmes ngushticës së Hormuzit pasi kanë dalë nga Gjiri Persik. Bëhet fjalë për anijet CSCL Indian Ocean dhe CSCL Arctic Ocean, të cilat kaluan pranë ishullit Larak, nën kontrollin e Iranit, dhe janë nisur drejt Port Klang në Malajzi.
Irani duket se e ka bllokuar në mënyrë efektive këtë rrugë jetike detare, por po lejon kalimin e një numri të kufizuar anijesh nga vende që i konsideron “jo armiqësore”, si Tajlanda, Kina, Pakistani dhe India.






















