
Italia ka refuzuar t’u japë leje avionëve ushtarakë amerikanë për t’u ulur në bazën ajrore Sigonella në Siçili, përpara se të vazhdonin fluturimin drejt Lindjes së Mesme, raportoi një burim i afërt me çështjen.
Sipas gazetës italiane Corriere della Sera, disa bombardues amerikanë kishin planifikuar të uleshin në bazën që ndodhet në lindje të Siçilisë përpara nisjes drejt Lindjes së Mesme. Nuk është bërë e ditur se kur ishte parashikuar të ndodhte kjo ulje.
Gazeta thekson se autorizimi nuk u dha pasi SHBA nuk kishte paraqitur një kërkesë zyrtare dhe udhëheqja ushtarake italiane nuk ishte konsultuar, siç parashikohet nga traktatet që rregullojnë përdorimin e instalacioneve ushtarake amerikane në territorin italian.
Ndërkohë, Ministria italiane e Mbrojtjes nuk ka bërë një koment të menjëhershëm për këtë çështje.
Në Itali, partitë opozitare të qendrës së majtë i kanë kërkuar qeverisë të bllokojë përdorimin e bazave ushtarake nga SHBA, me qëllim që vendi të mos përfshihet në konflikt.
Nga ana tjetër, qeveria e djathtë e kryeministres Giorgia Meloni ka deklaruar se do të kërkojë autorizim nga parlamenti nëse paraqiten kërkesa të tilla.






















