Senatorët republikanë në SHBA kanë bërë të ditur se do t’i kërkojnë Shtëpisë së Bardhë që të japë llogari para Kongresit lidhur me luftën në Iran, në një kohë kur po afrohet afati ligjor brenda të cilit për çdo konflikt kërkohet miratimi i ligjvënësve.
Senatorja Susan Collins, kryetare e Komitetit të Senatit për Ndarjet Buxhetore, deklaroi se pas skadimit të afatit 60-ditor të paraparë me Ligjin për Kompetencat e Luftës, që pritet në fund të kësaj jave, presidenti “duhet të marrë miratimin e Kongresit ose Kongresi mund ta bllokojë atë. Këto janë dy opsione, por Kongresi duhet të veprojë”, raporton CNN.
Ndërkohë, senatori Mike Rounds, anëtar i Komitetit për Forcat e Armatosura në Senat, u shpreh se do të ishte “i befasuar” nëse presidenti amerikan, Donald Trump nuk kërkon zgjatjen e afatit për miratimin nga Kongresi edhe për 30 ditë të tjera.
Sipas tij, presidenti ka të drejtë ligjore për një zgjatje të tillë nëse mund të justifikojë se ajo është e nevojshme për tërheqjen e sigurt të forcave.
“Gjatë kësaj periudhe do të bëjmë pyetje”, tha Rounds. Ai shtoi se pret që senatorët ta pyesin Sekretarin e Luftës, Pete Hegseth më vonë gjatë javës, gjatë një seance të mbyllur të Komitetit të Buxhetit.
“Duam patjetër të marrim përgjigje, dhe nëse duhet në një mjedis konfidencial, le të jetë ashtu”, përfundoi ai.






















