Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi sot se tensionet e fundit në Iran po reflektohen drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare të energjisë, duke ndikuar veçanërisht në transportin e naftës dhe gazit përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më strategjike në botë.
Gjatë një video-mesazhi drejtuar pjesëmarrësve të Forumit Ndërkombëtar të Transportit dhe Logjistikës, Putin theksoi se situata gjeopolitike në Lindjen e Mesme po sjell tronditje të reja në sektorët kryesorë të ekonomisë globale.
Ai u shpreh se Rusia është e gatshme të ofrojë zgjidhje dhe të marrë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e një arkitekture të re për logjistikën dhe tregtinë ndërkombëtare, në një kohë kur sistemi aktual po përballet me sfida serioze.
“Rusia mund t’i ofrojë botës zgjidhje të qëndrueshme dhe të luajë një rol kyç në krijimin e një strukture të re globale për logjistikën dhe tregtinë”, deklaroi presidenti rus.
Putin nënvizoi se sektorët e transportit dhe logjistikës janë bërë më të ekspozuar ndaj tensioneve politike, duke reflektuar mungesë stabiliteti në ekonominë ndërkombëtare. Sipas tij, krizat e njëpasnjëshme po e bëjnë edhe më të domosdoshme riorganizimin e këtyre sistemeve në nivel global.






















