Papa Leoni XIV kritikoi sot, për të dytën ditë radhazi, dënimin me vdekje, duke bërë thirrje për heqjen e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një mesazh drejtuar Universitetit DePaul në Çikago, me rastin e 15-vjetorit të heqjes së dënimit me vdekje në shtetin amerikan të Illinois, Papa tha se Kisha Katolike Romake mëson se çdo jetë njerëzore është e shenjtë që nga momenti i ngjizjes, raportoi Reuters.
“E drejta për jetën është themeli i çdo të drejte tjetër njerëzore”, tha Papa, duke vlerësuar se sistemet efektive të burgjeve mund të mbrojnë qytetarët, duke ruajtur në të njëjtën kohë mundësinë e shpengimit për njerëzit e dënuar për krime të rënda.
Papa dënoi ekzekutimet masive në Iran të enjten.
“Unë dënoj marrjen e jetës njerëzore. Unë dënoj dënimin me vdekje”, tha Papa.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë njoftoi sot se vazhdon të hapë rrugën për përshpejtimin e ekzekutimit të dënimit me vdekje në nivel federal, duke përfshirë zgjerimin e metodës së ekzekutimit për të përfshirë edhe vdekjen me pushkatim.
Në njoftim thuhet se zgjerimi i protokollit përfshin metoda shtesë të ekzekutimit, të tilla si pushkatimi, si dhe thjeshtimin e proceseve të brendshme për të përshpejtuar ekzekutimin e dënimit me vdekje.
Ky veprim vjen pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u zotua të rivendosë dënimin me vdekje.
Papa Leo XIV, papa i parë nga SHBA-ja, kritikoi administratën Trump për politikat e saj ndaj migrantëve dhe luftën me Iranin.






















