
Lufta e Amerikës ndaj Iranit e ka ndryshuar Lindjen e Mesme – për keq. Diskutimet për armëpushimin e lënë rajonin më pak të sigurt se sa ishte kur filloi lufta, shkruan The Economist
Ishte një ndalesë e paqartë për një luftë të paqartë. Donald Trump fillimisht kërcënoi se do të përshkallëzonte bombardimet amerikane deri në atë pikë sa të shkatërronte “të gjithë civilizimin” e Iranit.
Më pas, më pak se dy orë përpara se kjo ofensivë të niste, ai njoftoi se Amerika, Izraeli dhe Irani do të pezullonin armiqësitë për dy javë dhe se Irani do të lejonte rifillimin e transportit tregtar nëpër Ngushticën e Hormuzit. Më pas u tha se armëpushimi nuk u arrit, pastaj se do të diskutohej sërish për paqe…..
Është shumë herët për të ditur nëse do të ketë armëpushim. Nëse negociatat çojnë në një marrëveshje dhe Irani pranon të ndalojë kërcënimet ndaj fqinjëve në këmbim të lehtësimit nga sanksionet amerikane, të dyja palët mund të përfitojnë. Nëse bisedimet dështojnë dhe lufta rifillon, të dyja do të jenë në një situatë më të keqe.
Për momentin, është e vështirë të shihen fitues. Ndikimi në ekonominë globale ka qenë i madh dhe do të vazhdojë. Irani ka pësuar dëme të rënda jo vetëm në objektet ushtarake, por edhe në infrastrukturën civile dhe tregtare.
Shtetet e Gjirit kanë humbur të ardhura, kanë pësuar dëmtime në objektet energjetike dhe u është cenuar reputacioni për siguri dhe stabilitet. Popullariteti i Izraelit në Amerikë dhe më gjerë ka pësuar një tjetër goditje. Amerika ka shteruar rezervat e municioneve dhe ka vendosur nën presion forcat e saj të armatosura.
Ndërkohë, asnjë nga objektivat që Donald Trump dhe kryeministri i Izraelit, Binyamin Netanyahu, kishin vendosur për luftën nuk duket se është arritur. Regjimi iranian ka humbur një pjesë të madhe të fuqisë ushtarake dhe shumë prej drejtuesve të tij të lartë.
Pranimi i armëpushimit mund të jetë një shenjë se pragmatistët po fitojnë terren. Por Republika Islamike mbetet në pushtet, ruan një rezervë uraniumi të pasuruar dhe ka ende aftësinë për të lëshuar dronë dhe raketa në të gjithë rajonin.
Më e keqja, ajo ka treguar për herë të parë fuqinë e një ‘arme’, aftësinë për të mbyllur ngushticën, ndaj së cilës Amerika nuk ka mjete kundërveprimi. Rajoni dhe bota do të paguajnë çmimin e këtij konflikti për vite me radhë.
Izraelitët e mbështetën në masë dërrmuese luftën kur ajo nisi, duke e parë Iranin si një kërcënim ekzistencial. Tani shumë prej tyre vënë në pikëpyetje nëse ia vlejti. Pavarësisht dhjetëra mijë goditjeve izraelite dhe amerikane, Irani është ende në gjendje të lëshojë çdo ditë dhjetëra raketa dhe dronë drejt Izraelit dhe vendeve të Gjirit Persik.
Vlerësimi i Izraelit në fillim të luftës se kishte “neutralizuar” mbi tre të katërtat e lëshuesve të raketave të Iranit duket i ekzagjeruar. Gjysma është një vlerësim më i besueshëm, dhe edhe kjo përfshin pajisje që mund të rikthehen relativisht lehtë në funksion.
Mbijetesa e regjimit dhe ruajtja e uraniumit të pasuruar janë zhgënjime të tjera. Edhe më keq për Netanyahun, Trump pritet të nisë negociata të drejtpërdrejta me drejtuesit iranianë. Izraeli ishte në dijeni se po zhvilloheshin bisedime për armëpushimin, por nuk ishte pjesë e tyre.
Forcat ajrore izraelite po përgatiteshin të sulmonin rrjetin energjetik të Iranit kur Trump telefonoi Netanyahun për t’i kërkuar të ndalte operacionin.
Në nivel taktik dhe ushtarak, Izraeli mund të përmendë arritje të konsiderueshme. Irani ka humbur një pjesë të madhe të forcave ajrore dhe të marinës së tij. Sistemi i mbrojtjes ajrore është shkatërruar në masë. Industria e armëve ka pësuar dëme të mëdha. Izraeli nuk humbi asnjë avion luftarak gjatë mijëra misioneve të kryera mbi Iran.
Brenda vendit, sistemet e mbrojtjes raketore kapën shumicën dërrmuese të mbi 600 raketave të lëshuara nga Irani. Vetëm rreth 20 izraelitë u vranë, shumë më pak se parashikimet në planet ushtarake për një luftë të kësaj shkalle.
Nga këndvështrimi i Netanyahut, lufta përfaqësonte një fitore strategjike në një aspekt kyç: bashkëpunimi i paprecedentë mes Izraelit dhe Amerikës. Dy vendet nisën një luftë së bashku kundër një armiku të përbashkët, koordinojnë objektivat dhe pilotët amerikanë dhe izraelitë fluturuan në misione të përbashkëta.
Megjithatë, mënyra se si u arrit armëpushimi, mes Amerikës dhe Iranit, i ndërmjetësuar nga Pakistani dhe me Izraelin të përjashtuar, e bëri të qartë natyrën e marrëdhënies: atë të një superfuqie dhe një shteti klient. Kjo mund të thellohet në javët në vijim.
Izraeli nuk do të jetë pjesë e negociatave ku Amerika dhe Irani do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje të përhershme. Siguria e ardhshme e Izraelit do të varet nga vendimet e Trump.
Edhe më keq për Netanyahun, ai mund të shndërrohet nga partner në “kokë turku”. Ai ndihmoi në bindjen e Trump për të nisur luftën. Më 7 prill, “New York Times” raportoi se shumë zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë zëvendëspresidentin, sekretarin e Shtetit dhe drejtuesin e CIA-s, kishin shprehur rezerva për planet e Netanyahut para fillimit të luftës.
Këto rrjedhje informacioni mund të tregojnë se shumë në administratën Trump duan të distancohen nga lideri izraelit. Ata janë të vetëdijshëm se Izraeli është bërë gjithnjë e më pak popullor ndër votuesit amerikanë.
Një sondazh i fundit i Pew tregoi se 60% e amerikanëve kanë një opinion negativ për Izraelin, një rritje me shtatë pikë përqindje krahasuar me vitin e kaluar.
Irani ka paralajmëruar se, nëse Izraeli vazhdon të godasë Hizbullahun, do të rifillojë sulmet ndaj Izraelit. Trump mund të detyrohet të marrë një vendim për këtë shumë shpejt. Nëse ai e detyron Izraelin të pezullojë fushatën në Liban, kjo mund të sinjalizojë fillimin e një përçarjeje.
Netanyahu do të ishte i gatshëm të rrezikonte armëpushimin, por mbi të gjitha ai kërkon të shmangë çdo përplasje të hapur me presidentin, i cili ka folur për një vizitë në Izrael pas dy javësh si i ftuar nderi në ditën e pavarësisë.
Brenda gjashtë muajve të ardhshëm duhet të mbahen zgjedhje dhe miqësia e kryeministrit me presidentin është një aset i madh elektoral në Izrael, një nga të paktat vende ku Trump është popullor.
Për të fituar zgjedhjet, që pritet të mbahen në tetor, Netanyahu do të kërkojë t’i bindë izraelitët se ai dhe Trump mbeten partnerë dhe se Izraeli i ka fituar luftërat e tij në Iran dhe Liban.
Megjithatë, Trump duket i vendosur t’i japë fund luftës, edhe pse regjimi iranian mbetet në pushtet dhe ruan aftësinë për të goditur Izraelin me raketa dhe dronë.
Madje mund të ndodhë që ai të ruajë edhe materialin bërthamor, ndonëse zyrtarët amerikanë këmbëngulin se kjo nuk do të ndodhë. Edhe një mjeshtër politik aq i aftë sa Netanyahu do ta ketë të vështirë ta shndërrojë këtë në triumf.

E pluribus unum
Edhe sunduesit e Iranit po përpiqen ta paraqesin luftën si fitore. Dhe me të vërtetë duket se ajo ua ka forcuar kontrollin. Ushtarët dhe nëpunësit civilë qëndruan në postet e tyre, duke sfiduar thirrjet për dezertim.
Ekipet e emergjencës pastruan rrënojat. Kishte më pak ndërprerje energjie dhe uji se zakonisht. Pavarësisht goditjeve ndaj bankave, pagat u paguan.
Fokusi i zemërimit popullor u zhvendos nga masakrat e regjimit ndaj protestuesve në janar, te teprimet e Amerikës dhe Izraelit. Entuziazmi i hershëm për ndërhyrjen e huaj u zbeh bashkë me shpresat për shembjen e Republikës Islamike dhe ndërsa bombardimet u zgjeruan nga objektivat ushtarake tek uzinat e çelikut, rafineritë dhe urat.
Shumë monarkistë humbën besimin se Reza Pahlavi, djali i Shahut të fundit, do të kthehej, dhe u larguan nga Iran International, transmetuesi opozitar që mbështeti goditjet amerikane dhe izraelite si mjet rikthimi.
“U zgjuam me kuptimin se Izraeli nuk ishte në anën tonë”, thotë një ish-mbështetës iranian i ndërhyrjes së huaj.
Megjithatë, armëpushimi kërcënon të rikthejë përçarjet e vjetra. Të ashprit, të njohur si paydari, kanë sulmuar pragmatistët, ose amalgarayan, të udhëhequr nga Mohammad Baqer Qalibaf, kryetari i Parlamentit, dhe veteranë të tjerë ushtarakë, për faktin se po negociojnë.
“Në vend të një armëpushimi, le ta mbysim këtë qen të tërbuar!”, u shpreh Kayhan, zëdhënësi i paydari-ve,.
Ideja e pranuar brenda regjimit se Ajatollah Ali Khamenei, udhëheqësi suprem i vrarë në një sulm ajror izraelit ditën e parë të luftës, duhet të pasohet nga i biri, Mojtaba, po zbehet gjithashtu. Disa vënë në dyshim aftësinë e tij, duke qenë se qarkullojnë gjerësisht zëra se edhe ai vetë ka pësuar plagë të rënda.
Të tjerë përmendin kundërshtimin e supozuar të të atit ndaj trashëgimisë dinastike. Garda Revolucionare Islamike, forca kryesore që mbron regjimin, mund ta humbasë shpejt unitetin e kohës së luftës dhe të copëzohet sërish në fraksione.
Goditjet ndaj infrastrukturës e kanë dobësuar më tej një ekonomi që tashmë ishte e brishtë. Gjendja e saj e rëndë ishte një nga shkaqet e protestave masive që shpërthyen në dhjetor. Shumë iranianë nuk kanë mundësi të sigurojnë mjaftueshëm ushqim. Shumë të tjerë shpresojnë të emigrojnë.
Shkatërrimi i urave, rrugëve, hekurudhave, rrjeteve të telekomunikacionit, aeroporteve dhe, sipas një industrialisti, i gjysmës së flotës së avionëve të pasagjerëve, mund të ketë efektin e dobësimit të kontrollit të qendrës mbi provincat.
Po kështu mund të ndodhë edhe me shkatërrimin e bazave të shërbimeve të sigurisë në mbarë vendin. Kurdët dhe pakicat e tjera mund të bëhen më të pakënaqura.
Disa analistë i shohin sulmet e vazhdueshme të Iranit ndaj vendeve të Gjirit si pasqyrim të një copëzimi të regjimit. Me drejtuesit e fshehur në bunkerë dhe me rrjetin e telefonisë celulare të depërtuar nga spiunët izraelitë, komunikimi është i vështirë.
Garda Revolucionare u ka dhënë komandantëve në terren liri veprimi për të nisur sulme me nismën e tyre.
Disa mund të mos jenë në dijeni të armëpushimit ose kanë zgjedhur ta shpërfillin.
Më 8 prill, pasi armëpushimi teorikisht kishte hyrë në fuqi, Irani lëshoi më shumë se 50 dronë dhe raketa ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, një nga breshëritë më të mëdha të luftës.
Ai goditi gjithashtu një tubacion jetik në Arabinë Saudite që transporton 7 milionë fuçi naftë në ditë drejt Detit të Kuq, duke anashkaluar Hormuzin. Në Kuvajt, shënjestroi centrale energjetike dhe impiante të shkripëzimit të ujit.
Megjithatë, ka pasur edhe shenja se regjimi po bëhet më pak i ashpër. Më e dukshmja është pranimi i armëpushimit, sado dobët të jetë zbatuar ai.
Për më tepër, në ditën e parë të tij, autoritetet liruan një të burgosur politike, Maryam Akbari Monfared, pas 17 vitesh burgim. Televizioni shtetëror, në mënyrë shumë të pazakontë, ka transmetuar intervista me gra jo të mbuluara.
Qalibaf dhe një rreth gjeneralësh pragmatistë të Gardës Revolucionare duket se zënë pozicionet më të larta brenda qeverisë. Një udhëheqje më pak e mbërthyer pas retorikës antikoloniale të Khameneit, nga ana e vet, mund ta ketë më të lehtë të riparojë marrëdhëniet me Perëndimin.
Vendet perëndimore mbeten destinacionet e parapëlqyera për studim dhe udhëtime për fëmijët e Qalibafit dhe figurave të tjera të larta. Thuhet se edhe Mojtaba Khamenei zotëron prona luksoze në Londër.
Lidershipi i ri nuk ka gjasa të ndërmarrë lirimin masiv të të burgosurve politikë, siç kërkon opozita, e aq më pak të heqë dorë nga themelet fetare të Republikës Islamike. Por mund të shohë vlerë strategjike dhe fiskale te fakti që të njihet si rojtar, madje ndoshta edhe si mbledhës tarife, i Ngushticës së Hormuzit.

Nuk ka nxitim për zgjidhje – Amerika, e pashmangshme
Disa vite më parë, në Lindjen e Mesme flitej shumë për një epokë të re shumëpolare. Tani Amerika është në qendër të zhvillimeve, për mirë apo për keq, dhe rivalët e saj janë në periferi.
Megjithatë, një nga aleatët më të afërt të Amerikës po shihet gjithnjë e më shumë me dyshim. Jashtë Emirateve të Bashkuara Arabe, shumë zyrtarë arabë e konsiderojnë Izraelin një faktor destabilizues në rajon.
Ata besojnë se ai e tërhoqi Trump në luftë duke e keqinformuar për sa e lehtë do të ishte rrëzimi i regjimit iranian. Ata mendojnë gjithashtu se bombardimet e ashpra të Libanit më 8 prill ishin një përpjekje për të sabotuar armëpushimin.
E gjithë kjo i lë shtetet e Gjirit në një situatë të vështirë. Para luftës, rajoni kishte shijuar dekada të tëra paqeje relative. Ai e konsideronte veten një qendër tregtare të paprekshme nga konfliktet e shumta të Lindjes së Mesme.
Amerika do ta mbante të sigurt, ndërsa rajoni ndërtonte lidhje më të ngushta me Rusinë dhe Kinën; për disa, marrëdhëniet me Izraelin ofronin gjithashtu premtimin e një aleati të fortë kundër Iranit. Lufta i ka përmbysur të gjitha këto supozime njëherësh.
Për gati gjysmë shekulli, konflikti mes Amerikës dhe Iranit ka përcaktuar Lindjen e Mesme. Ishte një përballje që të dyja palët preferonin ta zhvillonin në distancë. Ato u përplasën në Irak, fillimisht në vitet 1980 dhe më pas në vitet 2000, por vetëm në mënyrë të tërthortë.
Krijuan sfera ndikimi dhe aleatët e tyre zhvilluan luftëra në Liban, Jemen dhe territoret palestineze të pushtuara. Një luftë e drejtpërdrejtë dukej e paimagjinueshme, sepse pasojat dukeshin tepër të mëdha.
Trump, gjithmonë i prirë për të thyer rregullat, e ka bërë të paimagjinueshmen realitet. Pasojat e kësaj do të jenë të pakthyeshme, pavarësisht sa shumë presidenti mendon se mund ta përkulë realitetin sipas vullnetit të tij.
Ndoshta bisedimet në Pakistan do të kenë sukses, dhe në këtë rast Amerika, Izraeli dhe shtetet e Gjirit Persik mund të mos jenë më të lidhura nga një kërcënim i përbashkët. Ose ndoshta ato do të dështojnë dhe hija e luftës do të mbetet.
Amerika do të duhet të vendosë nëse do të qëndrojë në një rajon që prej kohësh ka tentuar ta braktisë, apo të largohet duke lënë pas aleatët e saj. Sido që të jetë, Lindja e Mesme do të përballet me pasojat e “ekskursionit të vogël” të Trump për vite me radhë./The Economist/






















