Forcat Mbrojtëse të Izraelit dhe Hezbollahu kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit, duke rritur tensionet në kufirin mes Izraelit dhe Libanit.
IDF njoftoi se kishte kapur disa predha të lëshuara nga Libani, ndërsa sirenat e alarmit u aktivizuan në zonën e Shtulës. Nga ana tjetër, Hezbollahu deklaroi në Telegram se kishte shënjestruar këtë zonë me raketa.
Në një deklaratë në platformën X, IDF tha se kishte vrarë tre persona që i identifikoi si “terroristë të Hezbollahut”, pasi ata kishin tentuar pa sukses të lëshonin një raketë drejt një avioni të forcave ajrore izraelite.
Sipas ushtrisë izraelite, në dy incidente të ndara, Hezbollahu kishte lëshuar raketa edhe ndaj trupave të saj në jug të Libanit, veprime që, sipas saj, përbëjnë “shkelje të hapura të marrëveshjes së armëpushimit”.
Ndërkohë, Hezbollahu deklaroi të enjten në mbrëmje se sulmet me raketa në veri të Izraelit ishin një përgjigje ndaj asaj që e cilësoi si shkelje të armëpushimit nga ana e Izraelit.
Sipas agjencisë shtetërore libaneze të lajmeve, Izraeli ka kryer gjithashtu sulme ajrore në qytetin Tir gjatë mëngjesit të sotëm.






















