Media britanike “The Guardian” raporton sot se Bashkimi Evropian mund të përballet me një tjetër përplasje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konkretisht me presidentin amerikan, Donald Trump.
Sipas shkrimit, tensionet që lidhen me Ukrainën dhe konfliktin në Iran pritet të pasohen nga një përpjekje e BE-së për të bllokuar një projekt gazsjellësi që planifikohet të ndërtohet në Bosnje e Hercegovinë, i cili është në pronësi të avokatit personal të Trump.
Ky raportim i “The Guardian” bazohet në një dokument që mediumi pretendon se e ka siguruar.
“Tubacioni do të kalojë nëpër Bosnjë dhe Hercegovinë . Nën presionin që kanë ushtruar zyrtarët amerikanë për muaj të tërë, sipas burimeve boshnjake, udhëheqësit e saj kanë vepruar shpejt për t’ia dhënë kontratën një kompanie, më parë pak të njohur, me seli në Wyoming”, shkruan The Guardian, duke treguar se bëhet fjalë për kompaninë AAFS Infrastructure and Energy.
Kjo kompani drejtohet nga dy figura kyçe të fushatës së Trump, Jesse Binnall, avokat që ka mbrojtur presidentin amerikan ndaj akuzave për nxitje të trazirave në Kapitol pas humbjes së tij, si dhe Joe Flynn, vëllai i ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare.
Sipas mediumit britanik, pas miratimit të një legjislacioni që i hap rrugë dhënies së kontratës kësaj kompanie, institucioneve në Sarajevë u është dërguar një paralajmërim nga Brukseli se kjo lëvizje mund të rrezikojë procesin e integrimit të Bosnje e Hercegovinës në BE.
“Në një letër të dërguar më 13 prill, të siguruar nga portali investigativ boshnjak istraga.ba dhe të parë nga Guardian, zyrtari i BE-së Luigi Soreca shkroi se, sipas një marrëveshjeje për energjinë midis Bosnjës dhe Brukselit, ishte “thelbësore që projektligjet të koordinoheshin plotësisht” me BE-në”, shkruan The Guardian.
“Në këtë mënyrë, Bosnja dhe Hercegovina mund të vazhdojë të përparojë në rrugën e saj evropiane dhe të shmangë humbjen e mundësive për integrim të mëtejshëm, si dhe të mundësive financiare”, ka shkruar Soreca.
Nga ana tjetër, Binnall është shprehur se projekti i tubacionit përbën një “prioritet për administratën Trump”.
I pyetur për qëndrimin e BE-së, ai theksoi se “AAFS nuk do ta harrojë kurrë atë që ka vërtet rëndësi në këtë projekt: Ofrimin e sigurisë energjetike dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik për popullin e Bosnjës dhe Hercegovinës. Ne jemi të përkushtuar të bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha autoritetet përkatëse për të zhvilluar infrastrukturën e nevojshme për ta bërë këtë vizion realitet.”
Projekti synon të lidhë Bosnjën me një terminal të gazit natyror të lëngshëm pranë bregdetit kroat, duke mundësuar furnizimin me gaz amerikan për një vend që aktualisht mbështetet plotësisht te Rusia për nevojat e tij energjetike.
Pas nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 nga presidenti rus Vladimir Putin, Brukseli vendosi një afat për vendet anëtare dhe ato aspirante, si Bosnja, që të ndërpresin importin e gazit rus deri në vitin 2028.






















