Irani ka sekuestruar dy anije në ngushticën e Hormuzit, vetëm një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se po pezullonte për një kohë të pacaktuar sulmet ushtarake ndaj Teheranit. Megjithatë, nuk ka asnjë sinjal për rifillimin e bisedimeve për paqe.
Pas kërcënimeve për rifillim bombardimesh, Trump bëri një kthesë të papritur duke deklaruar se SHBA do të zgjasë armëpushimin deri në momentin kur të shqyrtojë një propozim iranian në kuadër të negociatave për përfundimin e luftës dy-mujore. Nga ana tjetër, autoritetet iraniane nuk kanë konfirmuar se kanë rënë dakord për këtë zgjatje dhe kanë kritikuar vazhdimin e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane.
Negociatori kryesor iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, theksoi se një armëpushim i plotë ka kuptim vetëm nëse hiqet bllokada.
Ndërkohë, Garda Revolucionare Islamike e Iranit bëri të ditur se ka sekuestruar dy anije për “shkelje detare”, duke i shoqëruar drejt brigjeve iraniane. Kjo është hera e parë që Irani ndërmerr një veprim të tillë që nga nisja e luftës në fund të shkurtit.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Trump është “i kënaqur” me bllokadën detare dhe beson se Irani ndodhet në një pozicion të dobët. Ai nuk ka vendosur një afat për paraqitjen e një propozimi nga Teherani.
Në një zhvillim të papritur, Pentagoni njoftoi largimin e menjëhershëm nga detyra të sekretarit të Marinës amerikane, John Phelan, pa dhënë shpjegime.
Ndërkohë, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan paralajmëroi se konflikti SHBA-Izrael kundër Iranit po dobëson Europën dhe kërkoi një qasje që prioritizon paqen.
Situata në rajon mbetet e tensionuar edhe në Liban, ku sulmet izraelite në jug kanë shkaktuar viktima, përfshirë gazetaren Amal Khalil. Autoritetet libaneze e cilësuan shënjestrimin e gazetarëve si krim lufte.
Ndërkohë, çmimet e naftës pësuan një rritje të fortë, pasi Irani deklaroi se nuk do të rihapë ngushticën e Hormuzit për shkak të bllokadës amerikane. Nafta amerikane WTI u rrit mbi 4%, ndërsa Brent u ngjit mbi 3%, përpara se të stabilizohej.
Në territoret palestineze, dy persona, mes tyre një nxënës 14-vjeçar, u vranë në Bregun Perëndimor pas sulmeve të kolonëve izraelitë pranë një shkolle.
Pasojat ekonomike kanë filluar të ndihen edhe në sektorin e aviacionit. Kompania United Airlines ka rritur çmimet e biletave me 15-20% dhe ka ulur kapacitetin e fluturimeve për vitin 2026, për shkak të rritjes së çmimit të karburantit.






















