
Izraeli ka akuzuar grupin militant Hezbollah për shkelje të armëpushimit të arritur së fundmi me Libanin, duke e cilësuar incidentin si një “shkelje flagrante” të marrëveshjes.
Armëpushimi 10-ditor ishte ndërmjetësuar me qëllim ndalimin e luftimeve midis Izraelit dhe Hezbollahut, megjithatë të dyja palët kanë hedhur akuza ndaj njëra-tjetrës për shkelje të tij.
Sipas autoriteteve izraelite, Hezbollah ka lëshuar një avion pa pilot drejt forcave të ushtrisë izraelite (IDF), të cilat vepronin në jug të Libanit. Ushtria izraelite njoftoi se mjeti ajror u kap nga Forcat Ajrore të Izraelit dhe nuk arriti të depërtojë në territorin izraelit.
Në reagim, Izraeli e cilësoi këtë veprim si shkelje serioze të marrëveshjes së armëpushimit.
Ndërkohë, bëhet e ditur se përfaqësues nga Izraeli dhe Libani pritet të zhvillojnë një takim nesër në Shtetet e Bashkuara, në përpjekje për të adresuar tensionet dhe situatën në terren.






















