
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara, dhe jo Irani, kanë kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë. “Ne e kontrollojmë plotësisht ngushticën, vetëm që ta kuptoni”, tha Trump gjatë një transmetimi për CNBC.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar më herët se ngushtica mbetet e hapur për anijet tregtare. Trump ka shtuar se Uashingtoni do të vijojë me bllokadën detare ndaj Republikës Islamike deri në nënshkrimin e një marrëveshjeje përfundimtare paqeje.
Pas këtyre deklaratave, Marina e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike njoftoi se Irani e ka bllokuar ngushticën derisa të hiqet plotësisht bllokada detare amerikane. IRGC u bëri thirrje pronarëve të anijeve të ndjekin vetëm udhëzimet e Iranit, ndërsa i cilësoi deklaratat e Trump për situatën në Ngushticën e Hormuzit si “jo të besueshme”.






















