
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në një postim në Truth Social, ka akuzuar sot Iranin se ka shkelur disa herë armëpushimin e arritur.
“Irani e ka shkelur armëpushimin disa herë!”, shkroi shkurt presidenti amerikan.
Armëpushimi pritet të skadojë të mërkurën në mbrëmje sipas kohës amerikane, ndërsa Teherani më herët ka akuzuar Uashingtonin për shkelje të marrëveshjes, duke bllokuar Ngushticën e Hormuzit. Në përgjigje, sipas raportimeve, Irani ka mbyllur përsëri këtë rrugë jetike detare gjatë së shtunës.
Postimi i fundit i Trump vjen në një kohë kur priten zhvillime nga të dyja palët lidhur me ecurinë e bisedimeve në Pakistan gjatë kësaj jave.
Më herët, CNN raportoi se postimet e presidentit amerikan në mediat sociale po krijojnë vështirësi në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës SHBA–Iran.
“Ndërsa afrohej fundjava, SHBA-të dhe Irani dukeshin se po i afroheshin një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës shtatë-javore. Më pas Presidenti Trump bëri pikërisht atë që ndihmësit e tij kanë thënë vazhdimisht se nuk do ta bënte: ai dukej se po përpiqej të negocionte përmes mediave, duke postuar në rrjete sociale rreth bisedimeve në vazhdim dhe duke folur me disa gazetarë në telefon të premten në mëngjes, ndërsa ndërmjetësit pakistanezë e informonin mbi kontaktet e vazhdueshme me zyrtarët iranianë në Teheran.”






















