Politika 21 April 2026, 15:19 Nga VNA

Rama takon në Abu Dhabi kompaninë që mori pa tender kontratën 118.5 milionë dollarë për sistemin e kamerave “Smart City”

Ndaje në Whatsapp

Rama takon në Abu Dhabi kompaninë që mori pa tender

Rama zhvilloi të hënën një vizitë zyrtare në Abu Dhabi, ku përveç takimit me Presidentin Sheikh Mohammed bin Zayed, u takua edhe me CEO-n e grupit G42, Peng Xiao – përfitues i një kontrate të debatueshme pa tender për sistemin e kamerave “Smart City”, me vlerë 118.5 milionë dollarë.

Në takimin me Xiao-n, përveç kryeministrit Rama, morën pjesë edhe drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, deputeti Ulsi Manja dhe zëvendësministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia – ky i fundit edhe zyrtari shqiptar që ka firmosur kontratën me kompaninë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

E pyetur nga BIRN, një zëdhënëse e Këshillit të Ministrave tha se takimi me kreun e G42 ka shërbyer për të “eksploruar dhe diskutuar mundësitë dhe potencialin e bashkëpunimit”.

Projekti “Smart City” parashikon vendosjen e mijëra kamerave inteligjente në hapësirat publike, përfshirë kamera për monitorimin e trafikut në rrugë, shkolla dhe pika kufitare.

VNA ka raportuar disa herë për rrezikun që paraqet ky projekt, për të cilin opozita ende nuk ka mbajtur një qëndrim të qartë. Në takim me Ramën ka qenë edhe drejtuesja e Shërbimit Informativ, një personazh me të shkuar të dyshimtë për lidhjet e saj me një nga dosjet më të forta që po heton SPAK, dosjen Agasi.

“Smart City” është përfshirë në listën e projekteve me rëndësi kombëtare nga qeveria shqiptare dhe fillimisht parashikohej të kushtonte rreth 60 milionë dollarë. Megjithatë, kostoja e tij pothuajse u dyfishua në 118.5 milionë dollarë pa një shpjegim publik, ndërsa financimi pritet të mbulohet përmes një huaje nga Fondi për Zhvillim i Abu Dhabit.

Projekti do të zbatohet nga kompania Presight AI, pjesë e grupit G42, e cila ka ngritur shqetësime në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për lidhjet e saj me kompani kineze.

Projekti është kontestuar gjithashtu nga ekspertë të të drejtave digjitale për rreziqet që paraqet për privatësinë e qytetarëve, për shkak të shkallës së gjerë të mbikëqyrjes në hapësirat publike.

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme