
Nëse gjatë verës fluturimet anulohen për shkak të mungesës së rëndë të karburantit, pasagjerët mund të mos kenë të drejtë për dëmshpërblim financiar. Këtë e sqaroi komisioneri europian për Transportin, Apostolos Tzitzikostas, pas takimit me ministrat e Transportit të 27 vendeve të BE-së.
Sipas rregullave europiane që mbrojnë pasagjerët, në raste të jashtëzakonshme – si pamundësia për të furnizuar avionët me karburant – kompanitë ajrore nuk janë të detyruara të paguajnë kompensim shtesë. Ato duhet vetëm të ofrojnë rimbursimin e biletës, një fluturim alternativ ose asistencë në aeroport.
Alarmi për mungesë karburanti lidhet me tensionet ndërkombëtare dhe bllokimin e mundshëm të ngushticës së Hormuzit, një korridor i rëndësishëm për furnizimin me naftë dhe karburant aviacioni. Kjo mund të ndikojë në nisjet e fluturimeve në muajt e ardhshëm, nëse furnizimet nuk rikthehen normalisht.
Megjithatë, Tzitzikostas u përpoq të qetësonte turistët, duke deklaruar se Europa është gati të presë vizitorët edhe këtë verë dhe se kontinenti mbetet destinacioni turistik numër një në botë.
Sipas rregullave të BE-së, në rast anulimi pasagjerët kanë të drejtë të zgjedhin rimbursimin ose një fluturim alternativ. Nëse zgjedhin riprogramimin e udhëtimit, kompania duhet të garantojë gjithashtu asistencë falas, si ushqim, pije dhe nëse është e nevojshme edhe akomodim në hotel me transport nga dhe drejt aeroportit.
Por e drejta për kompensim financiar nuk zbatohet kur anulimi vjen nga “rrethana të jashtëzakonshme”, si mungesa e karburantit apo situata të tjera të paparashikueshme që nuk varen nga kompania ajrore.






















