Bota 23 Prill 2026, 15:21 Nga VNA

Ndërron jetë në moshën 101-vjeçare pianistja virtuozë Ruth Slenczynska, nxënësja e fundit e gjallë e Rachmaninoff

Ndaje në Whatsapp

Ndërron jetë në moshën 101-vjeçare pianistja

Pianistja virtuozë Ruth Slenczynska, nxënësja e fundit e mbijetuar e Sergei Rachmaninoff, ka ndërruar jetë në moshën 101-vjeçare, pas një karriere të jashtëzakonshme që zgjati nëntë dekada.

E lindur në Kaliforni nga prindër polakë, muzikantja dha recitalin e saj të parë në moshën katërvjeçare dhe debutoi me një orkestër të plotë në Paris në moshën shtatëvjeçare.

E njohur për teknikën e saj të përsosur dhe intuitën muzikore, ajo luajti për pesë presidentë amerikanë – madje interpretoi edhe një duet me katër duar të Mozartit me Harry Truman në Shtëpinë e Bardhë.

Slenczynska performoi edhe në të 90-at e saj, ndërsa albumin e fundit e publikoi në vitin 2022. Ajo vdiq në paqe në një qendër kujdesi të asistuar në Kaliforni, tha ish-nxënësja e saj Shelly Moorman-Stahlman në një deklaratë për BBC.

“Sonte, qielli fitoi një engjëll shumë të veçantë,” tha muzikantja dhe pedagogia, duke shtuar se shëndeti i Slenczynska ishte përkeqësuar pas një serie rrëzimesh.

Gjatë vizitave të fundit, “ajo ishte veçanërisht energjike dhe mendërisht shumë e kthjellët”, madje një ditë “luajti edhe në piano”, kujton Moorman-Stahlman.

“Gjithmonë mësuese, gjatë një bisede për një performancë të fundit me orkestër, ajo më ‘caktoi detyrë’ të mësoja Koncertin e Mozartit në La minor dhe ta sillja për t’ia luajtur herën tjetër që do ta vizitonim.”

Pas një tjetër rrëzimi, megjithatë, ajo “ndërroi jetë në paqe”, e rrethuar nga miq, përfshirë edhe bashkëshortin e Moorman-Stahlman, Randy.

E lindur në vitin 1925, Slenczynska u shpall një nga fëmijët gjeni më të mëdhenj të muzikës që nga Mozart.

Një kronikë filmike e Pathé, e realizuar kur ajo ishte pesë vjeç, vërejti se vogëlushja kishte “mahnitur kritikët muzikorë me interpretimin e Beethovenit”.

Koncertet e saj ishin “një përvojë elektrizuese”, shkroi New York Times në vitin 1933, “diçka që natyra e ka prodhuar në një nga momentet e saj më bujare”.

Babai i saj, Josef Slenczynski, ishte një violinist i njohur dhe drejtues i Konservatorit të Varshavës para se të plagosej gjatë Luftës së Parë Botërore.

Pasi u zhvendos në Amerikë, ai vendosi të rrisë një muzikant të suksesshëm dhe e konsideroi vajzën e tij si një pianiste apo violiniste të mundshme vetëm pak orë pas lindjes së saj.

Në moshën trevjeçare ajo kishte mësuar tashmë bazat e teorisë muzikore dhe harmonisë. Familja u zhvendos në Evropë që ajo të studionte me mësuesit më të mirë dhe të takonte muzikantët më të rëndësishëm të kohës.

Një disiplinë tiranike

Ajo u njoh me Rachmaninoff në vitin 1934, pasi e zëvendësoi atë në një koncert.

“Zoti Rachmaninov duhej ta anulonte koncertin për shkak të një problemi me bërrylin,” kujtonte ajo më vonë. “Menaxheri nuk donte të humbiste paratë e biletave, kështu që kontaktoi babanë tim për të parë nëse mund ta luaja unë koncertin.”

Pak më vonë ajo u thirr për të takuar mjeshtrin.

“Isha një vajzë e vogël e frikësuar te dera e apartamentit të tij në Villa Majestic në Paris,” tha Slenczynska për NPR në vitin 2022. “Ai më tregoi me gishtin e tij të gjatë dhe tha: ‘Ti je ajo që luan në piano?’”

Nëntëvjeçarja u drodh nga frika, derisa Rachmaninoff e uli pranë tij dhe i tregoi një fotografi të skafit të tij, duke bërë zhurma si motor për ta qetësuar.

Pasi u qetësua, ajo interpretoi për të një pjesë virtuozë dhe menjëherë ndryshoi tonalitetin kur ai ia kërkoi. Ata u bënë miq për gjithë jetën dhe ajo shpesh mbante një varëse me vezë Fabergé që ai i kishte dhuruar.

Në vitet e para ajo u mentorua edhe nga Josef Hoffman, Alfred Cortot, Egon Petri dhe Artur Schnabel.

Megjithatë, regjimi i rreptë i babait të saj u bë i padurueshëm.

“Njerëzit çuditeshin nga ajo që bëja në piano për një arsye shumë të thjeshtë: babai më detyronte të praktikoja nëntë orë në ditë, çdo ditë të javës,” shkroi ajo në autobiografinë e vitit 1957, Forbidden Childhood.

Në moshën 15-vjeçare, ajo braktisi karrierën koncertale, ndërpreu çdo kontakt me babanë, u regjistrua për psikologji në Universitetin e Kalifornisë dhe u arratis për t’u martuar me një student, George Born.

Çifti u divorcua në vitin 1953 dhe, për të siguruar jetesën, Slenczynska filloi të jepte mësime pianoje. Shumë shpejt ajo u rikthye në skenë, duke i dhënë fund një mungese prej më shumë se një dekade.

Më pas ajo bëri turne për katër vite me Boston Pops Orchestra, ku pati edhe një rivalitet në skenë me dirigjentin Arthur Fiedler.

Në vitin 1961 ajo botoi librin “Music at Your Fingertips: Aspects of Pianoforte Technique”, i cili mbetet ende në qarkullim, dhe më pas iu bashkua Southern Illinois University si artiste rezidente dhe më vonë si pedagoge.

Disa vite më vonë ajo u martua për herë të dytë me Dr James Kerr, profesor i shkencave politike. Ata qëndruan bashkë deri në vdekjen e tij në vitin 2000.

Ajo mbeti aktive gjatë gjithë jetës. Gjatë izolimit të parë të pandemisë Covid-19 në vitin 2020, publikoi në YouTube regjistrime nga shtëpia të sonatave të Beethovenit për të shënuar 250-vjetorin e kompozitorit.

Në vitin 2022 ajo u rikthye te Decca për të regjistruar albumin e saj të fundit, “My Life in Music”, që përfshinte interpretime të Rachmaninoff, Bach dhe Debussy.

Ndër regjistrimet ishte edhe Preludi në Fa mazhor i Chopin, një homazh për rrënjët e saj polake dhe një nga pjesët e saj të preferuara.

“Pata nderin të isha me të gjatë regjistrimit,” tha Moorman-Stahlman. “Pas disa provash, ajo u kthye nga unë dhe tha: ‘Kjo është e mirë. Do të doja që kjo të luhej kur të ngjitem në qiell’.”

Planet për ceremoninë përkujtimore dhe një koncert në nder të saj do të njoftohen në ditët në vijim.

Ndërron jetë në moshën 101-vjeçare pianistja

Video

Elisa dëgjoje shefin.

Në garë janë të ftuar të marrin pjesë të gjithë, përveç atyre që mund të fitojnë.

U përpoq Edi të dilte në vend të dytë por nuk e la doktori.

Këtë përgjigje duhet ta ketë shkruar Garo.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme