
Pas përplasjes së fortë të lidershipit të PD, tashmë duket se përçarja ka mbërritur edhe në bazën e partisë. Një krizë që po evidentohet më qartë në procesin e zgjedhjeve të brendshme në parti.
I fundit që është larguar nga strukturat e partisë është kryetari i degës së PD Fier, Rrapi Gjika, i cili, përmes një mesazhi të gjatë në grupin e WhatsApp-it “Departamentet e PD”, ka shprehur zhgënjimin për emrat e përzgjedhur për të drejtuar grupin e punës për proceset zgjedhore dhe organizative në këtë degë.
Gjika, ndër të tjera, shprehet se në krye të këtij grupi është emëruar Ardian Ferro, i cili, sipas tij, ka qenë kundër Rithemelimit dhe ka bërtitur nëpër rrugë “poshtë non grata”. Ai thekson se për emërimin e Ferros nuk është pyetur asnjë anëtar i degës së PD Fier, ndërsa shton se në drejtimin e degës po vendosen persona që kanë qenë kundër rithemelimit dhe kundër Sali Berishës, “që shqyen derën e PD-së, na morën zyrat, na shanin çdo ditë duke na thënë se jeni të gjithë ‘non grata’”.
Duke e cilësuar këtë vendim si të padrejtë dhe “turp që bie erë”, Gjika shprehet se këto janë pjesë e pazareve të gatuara nga pazarexhinj që merren me punë të pista, njësoj si para zgjedhjeve me Alibashën, Gaz Bardhin e të tjerë.
Mesazhi i plotë i Rrapi Gjikës:
Të nderuar kolegë drejtues të PD Fier,
Sot ndihem më i zhgënjyer se kurrë ndonjëherë dhe më vjen keq për këto fjalë që do të them, por jam i detyruar nga situata që po krijohet dhe nga ky njoftim i papritur dhe i turpshëm që është dërguar.
Unë, siç edhe ju e dini, jam zgjedhur me votat tuaja dhe jam munduar ta bëj punën sa më mirë. Jam përpjekur të jap më të mirën time. Ndoshta edhe mangësi kam pasur dhe mund të kishim punuar më mirë, por e rëndësishme është se kam dhënë maksimumin tim dhe e kam bërë punën me zemër, pasi jam demokrat i orëve të para dhe me kontribute të vazhdueshme në PD.
Për të mirën e PD-së dhe për rinovimin e saj, unë vetë pranova dhe ju thashë ndër të tjera se nuk duhet të kandidoj më për kryetar dege, për t’i hapur rrugë të rinjve dhe për rinovimin e partisë, nisur edhe nga rezultati i dobët i zgjedhjeve të 11 majit, i cili nuk ishte për fajin tonë, por i atyre që bënë listat dhe drejtuan fushatën. Gjithsesi, do të vazhdoja të kontribuoja dhe të drejtoja PD Fier edhe për procesin zgjedhor deri në fund, si në çdo degë tjetër të vendit, për të qenë mbi palët dhe i barabartë për të gjithë.
Unë nuk kam dhënë dorëheqjen, pasi as nuk më është kërkuar ta jap. Po të më kërkohej, do ta bëja. Kam thënë që nuk do të kandidoj më, për të ndihmuar partinë dhe kolegët që do të kandidonin. Këtë ia kam bërë të ditur edhe deputetit të Fierit, anëtarit të Kryesisë së PDSH-së dhe ish-kryetarit të degës Fier, Luan Baçi, për të cilin nuk e kuptoj pse hesht tani pas këtij njoftimi.
Vendimi i Kryesisë së PD-së për komandimin si kryetar i PD Fier, pa pyetur askënd, i një personi që më parë bërtiste nëpër rrugë “poshtë non grata” dhe që tani do të drejtojë apo do të kandidojë, apo do të mbështesë atë që kanë përgatitur prej kohësh me pazare me të, është i padrejtë dhe një veprim i pandershëm. Është një turp që bie erë.
Aq më tepër kur në krye të degës po vendosen njerëz që kanë qenë kundër rithemelimit dhe kundër Sali Berishës, që na shqyen derën e PD-së, na morën zyrat, na shanin çdo ditë duke na thënë se jeni të gjithë “non grata”, ndërkohë që ne i bënim mbledhjet nëpër lokale, ndërsa ata rrinin në zyrat tona.
Ndoshta Sali Berisha nuk ka dijeni. Në grupin e punës janë vendosur më shumë njerëz që nuk kanë qenë aktivë fare dhe që kanë qenë kundër rithemelimit, madje na kanë dëmtuar shumë. Nuk janë përfshirë në grup pune pjesa më e madhe e kryetarëve dhe sekretarëve të grupseksioneve, të cilët kanë mbajtur peshën më të madhe gjatë kësaj kohe, si dhe shumë anëtarë të Kryesisë së rithemelimit.
Ndoshta do t’i vendosin tani, për t’u tallur me ta, derisa të përfundojnë atë që kanë nisur.
Kështu që kjo punë është shumë e gabuar dhe mban erë pazare të gatuara nga pazarexhinj që merren me punë të pista, njësoj si para zgjedhjeve me Alibashën, Gaz Bardhin e të tjerë.
Ju kërkoj ndjesë për çdo keqkuptim apo pakënaqësi që mund të kem shkaktuar te ndonjëri prej jush dhe ju falënderoj me gjithë zemër për punën që kemi bërë bashkë dhe për mbështetjen ndaj njëri-tjetrit. Por unë nuk mund të vazhdoj të jem pjesë aktive e kësaj pune, që bie erë të keqe dhe nuk e kuptoj pse bëhet në këtë mënyrë.
Me respekt,
Rrapi Gjika
Demokrat i orëve të para, i dekoruar nga Presidenti Sali Berisha si “Pishtar i Demokracisë”
Kryetar i grupit të këshilltarëve të PD në Bashkinë Fier
Kryetar i degës PD Fier deri më 24 prill, i zgjedhur në Kuvendin e Rithemelimit.






















