
Donald Trump po dërgon të dërguarin e posaçëm Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, në Pakistan për bisedime me ministrin e Jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi, ka raportuar sot CNN, duke iu referuar dy zyrtarëve të qeverisë amerikane.
Një burim i qeverisë pakistaneze theksoi më herët se Araghchi pritet të mbërrijë sonte në mbrëmje në Islamabad, së bashku me një delegacion të vogël, dhe se mund të zhvillohen bisedime paqeje me Shtetet e Bashkuara. Burimi nuk saktësoi se me kë është planifikuar të takohet kryediplomati iranian.
Sipas informacioneve të deritanishme, dy drejtuesit e delegacioneve, nënpresidenti amerikan J.D. Vance dhe kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, nuk do të udhëtojnë në Pakistan.
Në një postim në platformën X, vetë ministri i Jashtëm iranian deklaroi se ka nisur një tur vizitash në Pakistan, Oman dhe Rusi, me qëllim koordinimin me partnerët për çështje dypalëshe dhe zhvillimin e konsultimeve mbi zhvillimet rajonale.
Islamabadi ishte vendi ku u zhvilluan bisedimet e para javën e kaluar mes SHBA-së dhe Iranit për t’i dhënë fund konfliktit, bisedime të cilat nuk sollën ndonjë rezultat.






















