
Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se ka ndërmarrë një sulm të cilësuar si “vdekjeprurës” ndaj një anijeje në Oqeani Paqësor Lindor, ku si pasojë janë vrarë dy persona të identifikuar si të lidhur me aktivitetin e trafikut të drogës.
Sipas Komandës Jugore të SHBA-së (SOUTHCOM), operacioni u bazua në të dhëna të inteligjencës që e identifikonin anijen si pjesë të rrugëve të njohura të trafikimit dhe të përfshirë në aktivitete të dyshuara kriminale. Njoftimi u publikua në rrjetin social X.
Autoritetet ushtarake bëjnë të ditur se sulmi u urdhërua nga Francis L. Donovan, komandant i SOUTHCOM, dhe u realizua nga Task Forca e Përbashkët “Southern Spear”, duke synuar një anije që, sipas tyre, operohej nga një organizatë e shpallur terroriste.
“Dy persona meshkuj të lidhur me narkotrafikun u vranë gjatë këtij aksioni”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Operacioni është pjesë e një fushate më të gjerë të intensifikuar në Deti i Karaibeve dhe në Paqësorin lindor kundër trafikut të narkotikëve, e nisur që prej shtatorit të kaluar nga administrata e Donald Trump. Sipas autoriteteve, numri i personave të vrarë në këto operacione ka arritur të paktën në 163.
Megjithatë, këto veprime kanë nxitur kritika nga organizata dhe analistë të ndryshëm, të cilët i cilësojnë si ekzekutime të shpejta jashtëgjyqësore, duke argumentuar se personat e shënjestruar nuk kanë mundësi të përballen me drejtësinë apo të provojnë pafajësinë e tyre. Kritikët gjithashtu vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e politikave kundër drogës, duke përmendur edhe vendimet për falje të disa të dënuarve për trafik narkotikësh nga presidenti amerikan.






















