Një avion cargo i Amazon ka dalë nga pista gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit në SHBA, duke u përplasur me disa automjete dhe duke marrë flakë. Si pasojë e aksidentit, të paktën pesë persona kanë humbur jetën, ndërsa pesë të tjerë janë plagosur, tre prej tyre në gjendje kritike.
Avioni, një Boeing 767-300 i operuar nga kompania 21 Air në emër të Amazon Prime Air, po kryente fluturimin nga San Juan, Porto Riko, drejt Miamit. Sipas autoriteteve, ai doli nga pista rreth orës 14:00 me kohën lokale, përshkoi një rrugë pranë aeroportit dhe u përplas me disa automjete përpara se të ndalej në një zonë jashtë pistës.
Përplasja shkaktoi një zjarr të fuqishëm dhe një re të madhe tymi të zi që u pa në zonën përreth aeroportit. Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, ndërsa disa persona mbetën të bllokuar brenda automjeteve të goditura. Edhe piloti dhe bashkëpiloti mbetën të bllokuar në kabinën e avionit dhe u desh ndërhyrja e ekipeve të shpëtimit.
Më shumë se 60 njësi të shërbimit zjarrfikës dhe rreth 200 efektivë u angazhuan në operacionin për shuarjen e flakëve dhe nxjerrjen e personave të bllokuar. Autoritetet raportuan gjithashtu një rrjedhje karburanti, duke e bërë ndërhyrjen veçanërisht të ndërlikuar.
Aeroporti i Miamit vendosi përkohësisht një ndalim të plotë të operacioneve ajrore, duke shkaktuar qindra vonesa dhe anulime fluturimesh. Operacionet u rikthyen gradualisht pas ndërhyrjes së ekipeve të emergjencës.
Shkaqet e aksidentit ende nuk janë përcaktuar. Administrata Federale e Aviacionit dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit kanë nisur hetimet për të zbardhur dinamikën e ngjarjes. Hetuesit pritet të analizojnë kushtet e motit, mënyrën e uljes dhe faktorë të tjerë që mund të kenë shkaktuar daljen e avionit nga pista.
Amazon ka shprehur ngushëllimet për viktimat dhe ka deklaruar se po bashkëpunon me autoritetet amerikane në hetimin e aksidentit.





















