Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kërcënuar Iranin me një kundërgoditje të fuqishme nëse Teherani ndërmerr një sulm të ri ndaj Izraelit, duke deklaruar se përgjigjja e Tel Avivit do të jetë e paparashikueshme.
“Nëse Irani bën një gabim dhe na sulmon, do të marrë një goditje që as nuk mund ta imagjinojë”, deklaroi Netanyahu gjatë mbledhjes javore të qeverisë izraelite. Ai shtoi se Irani aktualisht po përmbahet nga sulmi dhe se “e di pse”.
Deklaratat e kryeministrit izraelit vijnë rreth 50 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 27 tetorit, në një kohë kur sondazhet tregojnë rënie të mbështetjes për Netanyahun dhe partinë e tij Likud. Sipas raportimeve, zyrtarë izraelitë besojnë se qeveria po rrit presionin ushtarak në disa fronte, në përpjekje për të konsoliduar mbështetjen e partive të krahut të djathtë përpara zgjedhjeve.
Netanyahu deklaroi gjithashtu se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur atë që ai i cilësoi si “arritje të jashtëzakonshme” në përballjen me kërcënimin iranian.
“Së bashku me Shtetet e Bashkuara, kemi arritur arritje të jashtëzakonshme në largimin e një kërcënimi ekzistencial që na qëndron mbi kokë”, tha ai, duke pretenduar se aleanca SHBA-Izrael ka dobësuar ndjeshëm aftësitë bërthamore dhe raketore të Iranit dhe se regjimi në Teheran po i afrohet fundit.
Tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar ndjeshëm që prej nisjes së sulmeve SHBA-Izrael ndaj Iranit më 28 shkurt, ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur me raketa dhe dronë ndaj Izraelit dhe objektivave amerikane në rajon.
Në qershor, Irani dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan një memorandum mirëkuptimi të ndërmjetësuar nga Pakistani dhe Katari, që synonte përcaktimin e hapave për uljen e armiqësive, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe trajtimin e çështjeve ekonomike. Megjithatë, marrëdhëniet kanë mbetur të tensionuara, ndërsa të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për mosrespektimin e angazhimeve.
Kërcënimi i fundit i Netanyahut vjen në një klimë të rënduar politike dhe ushtarake, ndërsa Izraeli i afrohet zgjedhjeve të tetorit dhe përplasja me Iranin mbetet një prej çështjeve kryesore të sigurisë kombëtare.





















