Alternativa për Gjermaninë, AfD, ka shënuar një fitore historike në zgjedhjet rajonale në Saksoni-Anhalt, duke dalë forcë e parë sipas exit poll-eve të publikuara nga televizioni ARD.
Sipas të dhënave paraprake të raportuara nga Reuters, partia e së djathtës ekstreme ka marrë rreth 44.5% të votave, ndërsa konservatorët e kancelarit Friedrich Merz kanë mbetur shumë pas, me 18.5%.
Rezultati konsiderohet një moment i paprecedentë në politikën gjermane të pasluftës, pasi AfD është tashmë në prag të mundësisë për të marrë pushtetin në nivel landi. Megjithatë, mbetet ende e paqartë nëse partia do të arrijë të formojë qeveri, për shkak të refuzimit të partive tradicionale për të hyrë në koalicion me të.
Kandidati kryesor i AfD-së në Saksoni-Anhalt, Ulrich Siegmund, e ka cilësuar rezultatin si historik, duke e paraqitur atë si hapin e parë drejt pushtetit kombëtar në zgjedhjet federale të vitit 2029.
Fitorja e AfD-së është një goditje e rëndë për koalicionin e kancelarit Merz, i cili po përballet me rënie popullariteti, ekonomi të dobët dhe pakënaqësi të shtuar publike.
AfD ka ndërtuar mbështetjen e saj mbi një linjë të ashpër kundër emigracionit, kritika ndaj elitave politike dhe qëndrime më të afërta me Rusinë. Partia është gjithashtu nën vëzhgim nga shërbimi i brendshëm gjerman i inteligjencës për lidhje me ekstremizmin e djathtë, akuza që ajo i hedh poshtë.
Nëse rezultati konfirmohet, Saksoni-Anhalt mund të kthehet në landin e parë ku e djathta ekstreme del forcë dominuese që nga Lufta e Dytë Botërore, duke hapur një kapitull të ri dhe të ndërlikuar për politikën gjermane.





















