Andrea Pirlo pritet të jetë trajneri i ri i Kombëtares së Italisë. Sipas raportimeve të medias italiane La Repubblica, ish-mesfushori legjendar është shumë pranë marrëveshjes me Federatën Italiane të Futbollit, ndërsa mbeten vetëm detajet e fundit për zyrtarizimin.
Burimet bëjnë me dije se Pirlo do të firmosë një kontratë katërvjeçare me një pagë prej rreth 1.5 milionë eurosh në sezon. Ai është zgjedhur nga drejtuesit Paolo Maldini dhe Leonardo, të cilët e konsiderojnë si njeriun e duhur për të rindërtuar kombëtaren italiane përmes një projekti afatmesëm dhe afatgjatë.
Një tjetër sinjal që e afron Pirlon me stolin e Italisë është fakti se ai po punon për të zgjidhur kontratën me klubin United FC të Dubait, me të cilin është i lidhur deri në qershor të vitit 2027.
Sipas raportimeve, emrat e Roberto Mancinit dhe Antonio Contes nuk janë kontaktuar në orët e fundit ndërsa presidenti i Federatës, Giovanni Malago, fillimisht kishte preferuar rikthimin e Mancinit.
Zhvillimet morën tjetër drejtim pasi dështoi përpjekja për të bindur Pep Guardiolën të merrte drejtimin e “Axurrëve”. Trajneri spanjoll, pas disa ditësh reflektimi dhe kontakteve me drejtuesit e Federatës, vendosi të refuzojë ofertën.
Sipas mediave italiane, Guardiola ishte i nderuar nga propozimi dhe e kishte shqyrtuar seriozisht mundësinë për të drejtuar Italinë, por në fund vendosi të marrë një vit pushim nga futbolli për t'iu përkushtuar familjes, pas përfundimit të eksperiencës së tij të gjatë te Manchester City. Raportohet se refuzimi nuk kishte lidhje me aspektin financiar, por ishte një vendim i motivuar nga arsye personale dhe dëshira për t'u shkëputur përkohësisht nga stoli.
Nëse nuk do të ketë ndonjë surprizë të minutës së fundit, Andrea Pirlo pritet të zyrtarizohet shumë shpejt si trajneri i ri i Kombëtares së Italisë.






















