Politika 27 August 2026, 14:25 Nga VNA

Videomesazhi i Grida Dumës. Paralajmëron Edi Ramën: Nëse hyj në politikë s’kam nevojë për lejen tënde

Ndaje në Whatsapp

nghnghngh.PNG

Grida Duma doli me një videomesazh për të sqaruar se nuk do të hyjë në qeverinë Rama. Ose, më saktë, për të sqaruar se nëse një ditë do të hyjë në politikë, nuk do të hyjë nga dera e askujt, por nga dera e saj. Një formulim solemn, i denjë për një rikthim historik, edhe pse në thelb bëhej fjalë për një thashethem politik që prej ditësh qarkullonte në Tiranë.

Ish-politikania, sot gazetare, influencuese dhe figurë publike që di ta mbajë ndezur skenën edhe kur thotë se nuk është pjesë e saj, tha se emrin ia kishin përfolur, pazarin ia kishin caktuar, sponsorin ia kishin gjetur dhe pozicionin ia kishin shpikur. Fillimisht, sipas saj, ishte argëtuar dhe e kishte lënë lajmin “të rridhte”. Pastaj, kur thashethemi nisi të merrte përmasa, vendosi të ndërhynte vetë, që të mos flisnin të tjerët për një histori ku ajo mund të fliste shumë më bukur vetë.

Në fakt, videomesazhi nuk ishte aq shumë një mohim sa ishte një kujtesë për publikun se Grida Duma nuk mund të përmendet thjesht si emër në listë. Ajo duhet të ketë hyrjen e vet, pauzën e vet, kamerën e vet dhe patjetër shpjegimin se nuk po ndodh ajo që po ndodh, por nëse do të ndodhte, do të ndodhte vetëm sipas kushteve të saj. Në një vend ku thashethemet politike prodhohen me shumicë, Duma zgjodhi të mos i vriste. Zgjodhi t’i jepte një regji më të mirë.

“Flini të qetë, nuk kam ndërmend t’i marr vendin askujt”, tha ajo, duke i dhënë kabinetit Rama një lajm të mirë: për momentin, qeveria mund të vazhdojë të ketë hallet e veta pa frikën se po i afrohet Grida. Por fjalia tjetër ishte edhe më karakteristike: nëse do t’i merrte vendin dikujt tani, do të ishte keq për vendin. Pra, jo vetëm që nuk po hyn në qeveri, por po e bën këtë edhe si akt përgjegjësie kombëtare. Shqipëria, të paktën për sot, u kursye nga një shpëtim i parakohshëm.

Pastaj erdhi pjesa e portës. Duma tha se në politikë nuk e thërret njeri, nuk pret ftesa dhe, nëse vendos të hyjë, do të hyjë “nga porta ime”. Vetëm se në rastin e saj, metafora e portës ka pak histori. Grida Duma hyri në politikë nga një studio televizive, vijoi në politikë me disa dështime, me disa suksese më të vogla dhe pastaj hapi dritaren për të hyrë në Top Channel. Prandaj kur sot flet për portën e vet, nuk është krejt e qartë nëse bëhet fjalë për hyrje politike, dalje elegante, apo thjesht për një kalim të radhës nga ekrani në pushtet dhe anasjelltas.

Në videomesazh pati edhe Pogradec, ministra, deputetë, tym të bardhë dhe re të zeza. Pra gjithë repertori i nevojshëm që një sqarim personal të mos mbetet sqarim personal, por të ngrihet në nivelin e diagnozës kombëtare. Duma tha se problemi nuk është emri i saj, por fakti që shqiptarët pyesin ende nëse kanë vend në Shqipëri. Dhe këtu, për pak çaste, videomesazhi u kthye nga “nuk jam ministre” në “ku po shkon kombi”.

Në fund, mesazhi ishte ky: Grida Duma nuk do të hyjë në qeverinë Rama. Por nëse një ditë do të hyjë në politikë, nuk do të hyjë me ftesë, nuk do të hyjë me leje dhe nuk do të hyjë nga porta e askujt. Do të hyjë nga porta që do ta hapë vetë. Deri atëherë, politika mund të vazhdojë të rrijë në ankth, publiku mund të vazhdojë të pyesë për Shqipërinë e së ardhmes me Gridën në politikë, ndërsa thashethemet mund të vazhdojnë të rrjedhin, me kusht që kur të arrijnë te Grida, ajo të ketë kohë mes reklamave për produktet kozmetike të zgjidhë edhe hallet e Shqipërisë.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme