Politika 25 August 2026, 17:06 Nga VNA

Politikanë të dy shekujve: Rama dhe Berisha kanë kaq gjatë në skenë, sa tani zihen për hesapet e viteve ’90

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-08-25 at 5.06.06 PM.jpeg

Kanë kaluar aq shumë vite bashkë në politikë, sa Edi Rama dhe Sali Berisha tashmë nuk përplasen vetëm për qeverinë, opozitën apo Shqipërinë e viteve të fundit. Të lodhur nga kotësia e debatit mes tyre, së fundmi janë kthyer rreth tre dekada pas në kohë, te një episod i shekullit të kaluar dhe te hunda e thyer e kryeministrit.

Gjithçka nisi mbrëmë në Pogradec. Pas mbledhjes me kabinetin qeveritar, Rama doli në një komunikim në Facebook dhe iu përgjigj komenteve në rrjetet sociale për deformimin e hundës së tij, të cilin disa e lidhin me përdorimin e drogës. Një sjellje e zakonshme e tij për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale. 

Kryeministri riktheu historinë e sulmit fizik ndaj tij, duke e përshkruar shenjën që mban ende në fytyrë si pasojë të një tentative për ta “fshirë nga faqja e këtij dheu”. Rama e lidhi episodin me qëndrimet e tij të asaj kohe dhe dëshirën, siç tha, për të jetuar në një vend ku njerëzit të mos detyroheshin të ulnin kokën. 

Historia nuk është e re. Madje Rama e kishte rikthyer publikisht edhe në shkurt të këtij viti, kur tregonte se goditjet i kishin shkaktuar dëmtime në hundë dhe probleme me frymëmarrjen. 

Por këtë herë rrëfimi mori menjëherë përgjigje politike.

Sot, Sali Berisha doli me një version tjetër. Ai tha se agresori ishte arrestuar dhe pretendoi se Rama nuk kishte ndjekur më pas procesin gjyqësor. Siç i ka hije nuk harroi as insinuatat personale: deklaroi se Rama nuk kishte qenë vetëm në dhomën ku ndodhi incidenti, por me një burrë tjetër, identitetin e të cilit tha se e njeh dhe mund ta bëjë publik. 

Berisha iu referua edhe pretendimeve të njerëzve që, sipas tij, e kishin cilësuar ngjarjen “krim pasioni”, por u kujdes të shtonte se nuk po e pohonte vetë si fakt një motiv të tillë.

“Nuk them se ishte krim pasioni apo jo, por ato se çfarë thonë të tjerët”, deklaroi ai. 

Por përtej misterit të një ngjarjeje të vjetër, për të cilën 30 vjeçarët e sotëm ndoshta se kanë dëgjuar ndonjëherë, përplasja ka edhe një tjetër dimension.

Edi Rama dhe Sali Berisha kanë kaluar aq gjatë në qendër të politikës shqiptare, sa arkivi i konfliktit mes tyre tashmë shtrihet në dy shekuj.

Rama përdor një plagë të viteve ’90 për të shpjeguar një shenjë që mban sot dhe për ta vendosur atë brenda historisë së vet politike. Berisha hap dosjen e të njëjtit episod dhe premton detaje të tjera nga një dhomë dhe një person që, sipas tij, ka “emër dhe mbiemër”.

Njëri thotë se deshën ta eliminonin. Tjetri thotë se historia nuk ka qenë ashtu.

Dhe ndërsa Shqipëria ka hyrë thellë në vitin 2026, dy protagonistët që kanë dominuar pjesën më të madhe të tranzicionit shqiptar kanë nisur të debatojnë publikisht jo vetëm për atë që do të ndodhë nesër, por edhe për atë që ndodhi në shekullin e kaluar.

Pas gati tri dekadash, hunda e thyer e Edi Ramës është kthyer sërish në argument politik.

Dhe ndoshta ky është detaji më domethënës i gjithë historisë: në politikën shqiptare ndryshojnë vitet, por protagonistët janë ende aty për të debatuar se çfarë ndodhi atëherë. Kryesisht për kotësitë sepse praktikisht pavarësisht thyerjes së hundës qartas po e mbajnë njëri tjetrin në skenën politike.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme