Politika 25 August 2026, 13:13 Nga VNA

Alimehmeti apo Binaj? Berisha nuk konfirmon askënd, ndërsa primaret presin të bëhen alibia e zgjedhjes së tij për Tiranën

Ndaje në Whatsapp

dscds.jpg

Ilir Alimehmeti apo Florian Binaj? Për momentin, Sali Berisha nuk konfirmon asnjërin. Kreu i Partisë Demokratike preferon ta lërë ende bosh emrin e kandidatit për Bashkinë e Tiranës, ndërsa rikthen në skenë një formulë tashmë të njohur në selinë blu: primaret.

I pyetur për zgjedhjet e ardhshme vendore dhe mënyrën se si PD do të zgjedhë kandidatët, Berisha deklaroi se përgatitjet do të nisin së shpejti dhe se ende nuk ka një vendim që përjashton primaret.

“PD në kohë shumë të afërt do të nisë përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Çështja e hapjes së garës, ndonëse në një farë mënyrë nuk është se nuk është punuar, është punuar, por po vazhdon puna dhe në momentin më të parë do ta shpallim. Nuk ka vendim që të përjashtohen primaret”, tha Berisha.

Një përgjigje që, në fakt, konfirmon vetëm një gjë: vendimi nuk është marrë, ose të paktën nuk është bërë publik.

Sepse dilema e Tiranës nuk është më vetëm se kush do të jetë kandidati. Është edhe se si do të mbërrijë PD te kandidati që në fund do të shpallë.

Në diskutim janë dy profile krejt të ndryshme. Nga njëra anë është Ilir Alimehmeti, figurë politike e PD-së, ish-kandidat në primaret e demokratëve për Tiranën dhe tashmë një emër i njohur brenda strukturave të partisë. Nga ana tjetër është përfolur Florian Binaj, një profil jashtë strukturës klasike partiake, që do t’i jepte opozitës mundësinë ta paraqiste garën për kryeqytetin si një përballje përtej kufijve të PD-së.

Berisha nuk e përjashtoi Alimehmetin.

“Ilir Alimehmeti është një personalitet i shquar i PD dhe i qytetit të Tiranës. Gjithçka do përcaktohet në javët e ardhshme”, deklaroi ai.

Por pikërisht “javët e ardhshme” janë pjesa interesante.

Sepse nëse PD vendos për një kandidat politik, primaret mund të paraqiten si mekanizmi që ia jep atij legjitimitetin. Nëse vendos për një kandidat të pavarur, do të duhet të shpjegojë se si do të bashkëjetojë kjo zgjedhje me procesin e primareve që Berisha sot nuk e përjashton.

Në të dyja rastet, primaret rrezikojnë të shndërrohen nga instrument për të prodhuar kandidatin në instrument për të legjitimuar kandidatin e preferuar.
O
Në teori, primaret zhvillohen sepse partia ende nuk e di kush do të fitojë. Në politikën shqiptare, jo rrallë ato fillojnë pasi të gjithë kanë filluar të kuptojnë se kush duhet të fitojë.

Por Tirana është shumë e madhe për t’u trajtuar thjesht si një ushtrim procedural.

Pas humbjeve të njëpasnjëshme në kryeqytet, PD-së nuk i duhet vetëm një kandidat. I duhet një kandidat që të bindë edhe përtej votës së saj tradicionale. Pikërisht për këtë arsye zgjedhja mes një figure të strukturës dhe një profili të pavarur nuk është çështje emrash. Është zgjedhje strategjie.

Alimehmeti apo Binaj?

Berisha sot nuk thotë.

Tha vetëm se përgjigjen do ta mësojmë “në javët e ardhshme”.

Dhe, padyshim, diku mes vendimit politik dhe shpalljes së kandidatit do të jenë edhe primaret.

Sepse në PD, siç duket, fillimisht duhet gjetur kandidati. Pastaj mund të organizohet gara për ta gjetur.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme