Politika 26 August 2026, 13:36 Nga VNA

Edi Ramës nuk ka kush t'i shkruajë! Tragjikomedia e portalit bosh të Konsultimeve Publike

Ndaje në Whatsapp

Çdo të premte, koloneli i famshëm i Gabriel García Márquez vishte këmishën e vetme festive, lustronte këpucët dhe zbriste te porti me shpresën e marrë se anija e postës do t'i sillte letrën e munguar të pensionit. Në Tiranën e digjitalizuar të vitit 2026, e njëjta "dramë" zhvillohet pas ekraneve me rezolucion të lartë: Qeveria pret t'i shkruajnë, por serverat e "Konsultimit Publik" janë bosh.

Nëse hap sot faqen zyrtare të Portali të Konsultimeve Publike (konsultimipublik.gov.al), tabloja që të shfaqet përpara është një monument absurditetit burokratik. Dhjetëra projektligje me peshë vendimtare, nga “Rregullorja për monitorimin e shkarkimeve të gazeve serrë nga transporti detar”, te ligji i ri “Për Prokurimet në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë”, “Byrotë e Kreditit”, “Për Dhomën Ekonomike Kombëtare”, apo “Nxitja e Punësimit”, qëndrojnë të varura në hapësirën kibernetike si relike të një dialogu që nuk ekziston.

Në secilën prej tyre, si në kategorinë "Konsultim me Qytetarët", ashtu edhe në atë "Konsultim me Ekspertët", shifra e komenteve shkëlqen me një zero absolute. Asnjë ekspert nuk shpenzon as pesë minuta për të shkruar një sugjerim profesioni; asnjë qytetar nuk i beson më kutisë së feedback-ut.

Pse? Sepse të gjithë e dinë sekretin e hapur: ky portal nuk u ndërtua kurrë për t'u dëgjuar zëri i publikut, por për të plotësuar një kuti me "Check" në listën e gjatë të detyrave me arsim burokratik që kërkon Brukseli.

Integrimi evropian kërkon "transparencë dhe gjithëpërfshirje". Brukseli pyet: “A i konsultoni ligjet me shoqërinë civile?” Qeveria përgjigjet me krenari: “Po, si jo! Kemi një portal digjital super-modern!”

Por realiteti është se vendimet e vërteta politike, reformimi i tregjeve, ndarja e fondeve dhe koncesionet nuk lindin nëpër këto dritare publike online. Ato gatuhen në qarqe të mbyllura, në zyra partiake, restorante luksoze dhe përmes lobimeve okulte ku interesat e ngushta financiare e kanë kaluar ligjin pa pasur nevojë për asnjë "koment" apo kritikë nga publiku.

Pse t'i shkruash një qeverie që flet vetëm me veten? Konsultimi publik në Shqipëri është si një telefon pa linjë: ti mund të flasësh sa të duash në receptor, por në anën tjetër dëgjohet vetëm zhurma e heshtjes burokratike.

Qytetarët dhe ekspertët e kanë kuptuar lojën. Ata e dinë se çdo koment i bërë aty do të trajtohej më së miri si një bezdi administrative, e më së keqi si mbetje kompjuterike. Rrjedhimisht, 'bojkoti i heshtur' është përgjigja më dinjitoze ndaj një farse institudionale.

E megjithatë, ironia e pushtetit nuk ndalet me portalet që mbledhin pluhur digjital. Së fundmi, në kuadër të riformatimit të vazhdueshëm të imazhit dhe propagandës, qeveria premton hapjen e një platforme të re madhore: "Pasqyre Albania", një tjetër mekanizëm online ku qytetarët, sipas narrativës zyrtare, do të mund të "qajnë hallet" dhe të ankohen drejtpërdrejt te qeveria e kryeministri.

Por nëse ekspertët e qytetarët nuk i shkruajnë dot për ligjet që u prekën me dorë ekonominë dhe jetën e përditshme, kush do t'i besojë një "pasqyre" digjitale që reflekton vetëm vetëkënaqësinë e pushtetit?

Në veprën e Márquez-it, koloneli pret me dekada letrën e tij, i zhytur në varfëri por me një dinjitet heroik. Në Shqipërinë e sotme, kryeministrit "nuk ka kush i shkruan", jo sepse mungon posta apo rrjeti 5G, por sepse qytetarët e kanë kuptuar se letra e tyre do të përfundojë në koshin e mbeturinave elektronike përpara se të mbërrijë në tavolinën e vendimmarrjes.

Më poshtë, faqet më të fundit të platformës së konsultimit publik:

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme