Politika 30 May 2026, 18:27 Nga VNA

Sofjan Jaupaj i “sekuestron” turizmin Blendi Gonxhes… në rrjetet sociale

Ndaje në Whatsapp
Sofjan Jaupaj i “sekuestron” turizmin Blendi Gonxhes… në

 

Në qeverinë shqiptare mund të ndodhin shumë gjëra, por rrallëherë ndodh që një ministri të vazhdojë të prezantohet në rrjetet sociale me kompetenca që nuk i ka më. Pikërisht kjo po ndodh me Ministrinë e Mjedisit, e cila në Facebook vijon të paraqitet si “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”, megjithëse turizmi nuk është më pjesë e saj.

Ndërkohë, sipas organizimit të ri qeveritar, turizmi është bashkuar me kulturën dhe sportin nën drejtimin e ministrit Blendi Gonxhe. Madje edhe faqja zyrtare në Instagram e ministrisë së re e pasqyron qartë këtë realitet: “Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit”. Megjithatë, në Facebook vazhdon të mbijetojë një realitet paralel, ku turizmi rezulton ende nën ombrellën e ministrisë së drejtuar nga Sofjan Jaupaj.

Ka dy shpjegime të mundshme. I pari është se ministri i Mjedisit e pëlqen aq shumë turizmin sa nuk ka ndërmend ta lëshojë, të paktën në rrjetet sociale. I dyti është më banal: propaganda qeveritare nuk ka gjetur ende kohë të përditësojë emrin e një prej faqeve zyrtare të institucioneve.

Nëse është rasti i parë, atëherë kemi të bëjmë me një rekord administrativ: një ministër që vazhdon të mbajë një sektor që nuk e drejton më. Nëse është i dyti, atëherë kemi një tjetër shembull se si administrata që flet çdo ditë për transformim dixhital nuk arrin të harmonizojë as emërtimet e institucioneve të veta në rrjetet sociale.

Ironia është se ky konfuzion ndodh pikërisht në sektorin e turizmit, një nga fushat që qeveria e paraqet si historinë e saj më të madhe të suksesit. Por nëse qytetarët dhe turistët përpiqen të kuptojnë nga rrjetet sociale se kush e drejton turizmin shqiptar, mund të dalin në përfundimin se vendi ka dy ministra për të njëjtën fushë.

Në fund, problemi nuk është vetëm një emër i pasaktë në Facebook. Problemi është se pas viteve të tëra investimesh në komunikim, branding dhe propagandë dixhitale, dy institucione qendrore japin mesazhe të ndryshme për të njëjtën kompetencë. Dhe kjo nuk është çështje turizmi. Është çështje serioziteti institucional.

Sepse nëse qeveria nuk arrin të vendosë se kujt i përket turizmi në Facebook, vështirë të bindë se gjithçka tjetër është nën kontroll.

 

 

 

 

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme