Kronika 26 August 2026, 19:54 Nga VNA

Pagat e magjistratëve, përplasja që mund të çojë te bllokimi i llogarive të shtetit

Ndaje në Whatsapp
Pagat e magjistratëve, përplasja që mund të çojë

Vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për të rritur pagën referuese të gjyqtarëve nuk është thjesht një vendim administrativ për listëpagesat e muajit gusht. Ai mund të hapë një nga përplasjet më të forta institucionale mes gjyqësorit dhe qeverisë, me Ministrinë e Financave në qendër të krizës.

Me aktin e miratuar këtë të mërkurë, KLGJ vendosi që nga 1 gushti 2026 paga e gjyqtarëve të përllogaritet mbi pagën referuese 222.425 lekë, nga 156.800 lekë që ishte më parë. Bashkë me shtesën për nivelin e kualifikimit, në masën 14.000 lekë, paga referuese bazë shkon në 236.425 lekë.

Në letër, KLGJ thotë se po zbaton vendimin nr. 15 të Gjykatës Kushtetuese, i cili rrëzoi formulën e vitit 2023 që e lidhte pagën e magjistratit me 0.36 të pagës së Presidentit. Kushtetuesja e konsideroi këtë si një “ulje të fshehtë” të pagës së magjistratëve, pasi ndërkohë pagat e administratës publike ishin rritur dhe referenca e mëparshme do t’u jepte gjyqtarëve një pagë më të lartë.

Por problemi tani nuk është vetëm juridik. Është financiar dhe institucional.

Në praktikë, pas vendimit të KLGJ-së, Ministria e Financave duhet të vendosë nëse do ta zbatojë menjëherë këtë formulë, duke nxjerrë udhëzimet përkatëse dhe duke çliruar fondet e pagave për institucionet, apo do ta refuzojë zbatimin e saj, me argumentin se pagat përcaktohen me ligj dhe jo me urdhra të brendshëm administrativë.

Këtu nis edhe absurdi i ri.

Nëse Ministria e Financave e zbaton vendimin, qeveria e humbet hapësirën për të ndërhyrë më pas me një formulë tjetër më të ulët, sepse çdo ndryshim i ardhshëm mund të lexohet si cenim i garancive financiare të magjistratëve. Me fjalë të tjera, “formula Bani” mund të kthehet në një pikë të re referimi: çdo rritje page në administratë apo çdo ndryshim në strukturën e pagave publike do të sillte automatikisht kërkesa për rritje proporcionale edhe për magjistratët.

Nëse Ministria e Financave nuk e zbaton, atëherë përplasja kalon në një fazë tjetër: gjyqësori mund të detyrohet ta kërkojë zbatimin në gjykatë.

Skenari më ekstrem do të ishte që, nëse gjykata i jep të drejtë magjistratëve dhe vendimi nuk ekzekutohet vullnetarisht nga buxheti i shtetit, çështja të përfundojë në përmbarim. Në këtë rast, përmbarimi mund të kërkojë ekzekutimin e detyrimit financiar duke prekur llogaritë e shtetit, për të kaluar shumat përkatëse në llogaritë e magjistratëve.

Pra, një vendim për paga mund të kthehet në një përplasje ku shteti përballet me vetë mekanizmin e ekzekutimit të detyrueshëm.

Pikërisht kjo e bën situatën të paprecedentë. KLGJ nuk po miraton thjesht një tabelë të re pagash. Ajo po merr në dorë zbatimin e një vendimi kushtetues në kushtet kur Kuvendi nuk veproi brenda afatit të lënë nga Gjykata Kushtetuese, deri më 31 korrik 2026.

Në mbledhjen e KLGJ-së, anëtari Albens Tabaku e tha hapur se mosveprimi i Kuvendit krijon një situatë antikushtetuese.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese për të gjitha autoritetet publike, përfshirë edhe KLGJ. Gjykata Kushtetuese ka vendosur dhe nuk ka vepruar Kuvendi. Mosveprimi i Kuvendit përbën një mekanizëm antikushtetutshmërie”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, qeveria dhe mazhoranca kanë depozituar në Kuvend një propozim të ri, që ruan si referencë pagën e Presidentit, por e rrit koeficientin nga 0.36 në 0.38. Sipas relacionit të dy deputetëve socialistë, Aulona Bylykbashi dhe Admir Kadeli, formula synon të ruajë ekuilibrin mes pavarësisë financiare të magjistratëve dhe qëndrueshmërisë së sistemit të pagave publike.

Por ky propozim nuk e zgjidhi vakumin e krijuar nga 1 gushti. Për këtë arsye, KLGJ vendosi të zbatojë vetë interpretimin e Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi prek jo vetëm pagat aktuale, por edhe detyrimet e prapambetura për periudhën 1 prill 2023–31 korrik 2026. Sipas akteve të brendshme të gjykatave, këto diferenca duhet të përllogariten individualisht për çdo magjistrat, ndërsa pagesa e plotë varet nga fondet buxhetore të disponueshme.

Kjo do të thotë se përplasja nuk lidhet vetëm me pagën e muajit gusht, por me një faturë shumë më të madhe që shteti mund të detyrohet ta njohë dhe ta paguajë.

Në thelb, çështja tashmë ka dalë nga debati teknik për koeficientët. Ajo është kthyer në pyetjen se kush e ka fjalën e fundit kur Kuvendi nuk vepron: qeveria që mban arkën e shtetit, apo gjyqësori që kërkon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese?

Deri tani, KLGJ ka zgjedhur të ecë përpara. Tani topi kalon te Ministria e Financave. Nëse ajo zbaton urdhrin, qeveria pranon praktikisht formulën e re. Nëse nuk e zbaton, përplasja mund të shkojë në gjykatë dhe më pas, në skenarin më të fortë, deri te përmbarimi mbi llogaritë e shtetit.

Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi: një vendim i marrë për të garantuar pavarësinë financiare të gjyqësorit mund të përfundojë duke testuar deri në fund fuqinë reale të shtetit për të zbatuar vendimet e veta kushtetuese.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme