Kronika 26 August 2026, 17:35 Nga VNA

Katër herë i arratisur nga burgu, kapet shqiptari “magjistari i arratisjeve” në Spanjë

Ndaje në Whatsapp

sddsdc.jpg

Policia Kombëtare spanjolle ka arrestuar në Tarragona të Katalonjës 42-vjeçarin shqiptar Taulant Toma, i shpallur në kërkim nga drejtësia italiane dhe i njohur në mediat italiane si “magjistari i arratisjeve”.

Toma kishte arritur të arratisej katër herë nga katër institucione të ndryshme penitenciare, tre në Itali dhe një në Belgjikë. Arratisja e tij e fundit ndodhi më 7 dhjetor 2025 nga burgu i sigurisë së lartë Opera, pranë Milanos.

Arrestimi u krye të dielën, më 23 gusht, por u bë publik këtë të mërkurë. Sipas burimeve hetimore, 42-vjeçari bëri rezistencë të fortë në momentin kur policia spanjolle ndërhyri për ta prangosur.

“Rekordi” i tij i arratisjeve raportohet se kishte tejkaluar edhe atë të Felice Maniero, një prej emrave të njohur të botës së krimit në Itali.

Taulant Toma duhet të vuajë edhe 22 vite burgim dhe, sipas përllogaritjeve të dënimit, pritet të përfundojë vuajtjen e tij në vitin 2048.

Arratisja spektakolare nga burgu i Operas
Arratisja e fundit e Tomës ndodhi në dhjetor të vitit të kaluar nga burgu i sigurisë së lartë Opera, në zonën e Milanos.

Sipas hetimeve, ai kishte prerë në heshtje shufrat e qelisë së tij në katin e tretë dhe më pas kishte zbritur drejt oborrit të brendshëm duke përdorur çarçafë të lidhur me njëri-tjetrin, të cilët dyshohet se i kishte grumbulluar gradualisht.

Për të kapërcyer murin rrethues, rreth gjashtë metra të lartë, shqiptari kishte improvizuar një shkallë duke bashkuar bishta fshesash me shirit ngjitës.

Më pas, ai dyshohet se përdori një grep hekuri për të kapur pjesën e sipërme të rrethimit dhe për t’u larguar përfundimisht nga burgu.

Hetimet e Prokurorisë për arratisjen përfshinë edhe shokun e tij të qelisë, një 25-vjeçar, i dyshuar se mund të ketë shërbyer si “roje” gjatë operacionit ose ta ketë ndihmuar në krijimin e një “piramide njerëzore”.

Katër arratisje nga burgjet e Evropës
Arratisja nga Opera nuk ishte e para për 42-vjeçarin. Toma kishte arritur të largohej edhe nga tre burgje të tjera në Evropë.

Arratisja e parë ndodhi në vitin 2009 nga burgu i Ternit, në Umbria të Italisë. Pas disa muajsh në arrati, ai u lokalizua dhe u arrestua në Pavia.

Në vitin 2013, shqiptari u arratis sërish, këtë herë nga një burg i sigurisë së lartë në Parma. Pas largimit nga Italia, ai u lokalizua nga autoritetet në Belgjikë.

Por as burgu belg nuk arriti ta mbante pas hekurave. Dy vite më vonë, Toma u arratis edhe nga një institucion penitenciar në rajonin flamand të Belgjikës.

Ai u kap sërish dhe u ekstradua drejt Italisë, përpara se në dhjetor 2025 të realizonte arratisjen e tij të katërt. Pas muajsh në kërkim, “magjistari i arratisjeve” është vënë tashmë në pranga nga autoritetet spanjolle.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme