Politika 14 August 2026, 17:09 Nga VNA

Një javë pas përgënjeshtrimit të VNA, Arjan Ymeri dhe Delina Ibrahimaj ende nuk publikojnë listën zyrtare të përfituesve të Startup Albania

Ndaje në Whatsapp

ChatGPT Image Aug 14, 2026, 05_08_05 PM.png

Ka kaluar një javë nga momenti kur drejtori i Startup Albania, Arjan Ymeri, kundërshtoi të dhënat e publikuara nga VNA për përfituesit e granteve të vitit 2026, por lista zyrtare e fituesve vijon të mos jetë publike.

Më 7 gusht, pas publikimit të investigimit të VNA mbi mënyrën e shpërndarjes së fondeve për start-up-et, Ymeri kontaktoi privatisht redaksinë, duke deklaruar se lista mbi të cilën ishte bazuar shkrimi nuk ishte lista zyrtare e përfituesve.

Sipas sqarimit të tij, procesi për përcaktimin e listës përfundimtare kishte përfunduar më 6 gusht dhe publikimi i saj pritej të bëhej brenda javës.

Por sot është 14 gusht dhe, një javë pas këtij komunikimi, lista zyrtare e përfituesve ende nuk është bërë publike as nga Startup Albania dhe as nga Ministria e Ekonomisë.

Pikërisht publikimi i kësaj liste do të ishte mënyra më e drejtpërdrejtë për të sqaruar pretendimet e ngritura pas investigimit të VNA.

Në shkrimin e publikuar më 7 gusht, VNA raportoi mbi një listë e cila mbante fituesit e startupeve për vitin 2026, dhe e krahasoi me përfituesit e thirrjeve të mëparshme. Nga ky krahasim rezultonte se disa start-up-e dhe projekte shfaqeshin në mënyrë të përsëritur mes përfituesve të fondeve publike, ndërsa disa emra rezultonin fitues në të tre thirrjet e zhvilluara deri më tani  2024-2025-2026.

Pas publikimit, drejtori i Startup Albania e përgënjeshtroi listën e përdorur nga VNA, duke thënë se ishte e sajuar nga një person. Megjithatë, institucioni nuk publikoi një listë alternative zyrtare për të treguar se cilët janë përfituesit realë dhe cilat prej të dhënave të publikuara nuk qëndrojnë.

Situata bëhet edhe më e paqartë për shkak të aktivitetit të zhvilluar më 2 korrik, ku publikisht u prezantuan fitues të thirrjes për start-up-et. Kjo ngre pyetjen se përse, më shumë se një muaj pas këtij aktiviteti dhe një javë pasi drejtuesi i Startup Albania deklaroi se procesi kishte përfunduar, lista përfundimtare vijon të mos jetë e aksesueshme publikisht.

VNA e trajtoi këtë kontradiktë edhe në shkrimin e publikuar më 8 gusht, duke kërkuar transparencë mbi përfituesit dhe procedurën e ndjekur.

Nëse lista e siguruar dhe analizuar nga VNA nuk përmban përfituesit realë, publikimi i listës zyrtare do ta sqaronte menjëherë këtë çështje. Në të kundërt, mungesa e saj e bën të pamundur verifikimin publik të emrave që kanë përfituar nga fondi dhe ngre dyshime për abuzime me to.

Çështja merr rëndësi të veçantë pasi bëhet fjalë për para publike. Fondi i prezantuar për vitin 2026 arrin në 535 milionë lekë dhe, për këtë arsye, transparenca mbi subjektet përfituese, projektet, vlerësimin dhe shumat e financuara është një element thelbësor i llogaridhënies.

Një javë pas përgënjeshtrimit të investigimit të VNA, pikëpyetja mbetet ende pa përgjigje për Arjan Ymerin dhe Delina Ibrahimajn: cilët janë përfituesit zyrtarë të fondeve të Startup Albania për vitin 2026?

Përgjigjja nuk kërkon deklarata të tjera. Kërkon publikimin e listës zyrtare.

 

Lexo gjithashtu

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme