Politika 13 August 2026, 16:50 Nga VNA

Kuvendi mes Peleshit me pushime dhe Xhafajt që u nis shkresa institucioneve edhe në gusht

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-08-13 at 4.50.02 PM.jpeg

Sesioni parlamentar është mbyllur de facto më 23 korrik dhe, të paktën sipas kalendarëve zyrtarë të Kuvendit, muaji gusht nuk parashikon as seanca plenare dhe as mbledhje të komisioneve të përhershme parlamentare.

Deputetët dhe stafi i Kuvendit janë shpërndarë me pushime, ndërsa rrjetet sociale të shumë prej tyre tashmë “ushqehen” rregullisht me foto plazhi, deti dhe qetësie sezonale. Në këtë atmosferë gushti institucional, ku Parlamenti duket më shumë në regjim pritjeje sesa pune, një emër nuk ka ndalur: Fatmir Xhafaj.

Kreu i Komisionit të Posaçëm parlamentar për reformën dhe mirëqeverisjen ka vijuar t’u dërgojë shkresa institucioneve të pavarura, duke u kërkuar informacion dhe duke u vendosur edhe afate konkrete për përgjigje. Afati i përcaktuar në këto shkresa shkon deri më 31 gusht, pra pikërisht në muajin kur Kuvendi nuk ka aktivitet parlamentar të parashikuar në kalendar.

Në praktikë, Xhafaj duket se u kujton institucioneve se pas korrikut vjen shtatori dhe se, kur të rikthehet sezoni politik, do të ketë llogari për t’u dhënë mbi mënyrën se si janë zbatuar porositë dhe kërkesat e komisionit që ai drejton.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, duket se nuk e ka më presionin e përditshëm të pranisë në zyrë. Me sesion apo pa sesion, Peleshi është përfolur shpesh për fundjavat e gjata në Korçë, mes shoqërisë, lokaleve dhe kulinarisë së qytetit. Edhe kur në Tiranë politika zien, tre ditët korçare duket se mbeten ritual i vështirë për t’u prishur.

Nuk dihet nëse ky ritual zbatohet edhe në gusht, kur pushimet e Kuvendit janë zyrtare dhe kur, teorikisht, edhe plazhi mund të konkurrojë me lakrorin. Por nëse Xhafaj do ta fuste në “mbikëqyrje” edhe vetë kryetarin e Kuvendit, afati i 31 gushtit mund të rezultonte i pamëshirshëm për një axhendë të ndarë mes detit, Korçës dhe zyrës.

Megjithatë, Xhafajt duhet t’i njihet një meritë: në një kohë kur Kuvendi duket i fikur për pushime, ai është ndër të paktët që vijon të mbajë gjallë idenë se institucioni ende prodhon shkresa, kërkesa dhe afate.

Se çfarë do të ndodhë në shtator, kjo mbetet për t’u parë. Thashethemet për ndryshime të mëdha politike dhe institucionale nuk janë shuar. Ndërkohë, mes një lakrori dhe tjetrit në Korçë, Peleshi mësohet se ka nisur të ankohet që tani për ngarkesën e madhe të katër ditëve kur duhet të paraqitet në zyrë.

Kur është në Shqipëri, sigurisht.

Lexo gjithashtu

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme