Politika 14 August 2026, 13:35 Nga VNA

Festivali i Porto Palermos dhe rrjeti izraelit i ndikimit: Çfarë fshihet pas një konference për inovacionin

Ndaje në Whatsapp
Festivali i Porto Palermos dhe rrjeti izraelit i ndikimit: Çfarë

Një konferencë e zhvilluar më 12 gusht në Kalanë e Porto Palermos ka nxjerrë në pah një element që shkon përtej axhendës së saj zyrtare: praninë e dukshme të një rrjeti bashkëpunimi të krijuar ndër vite mes Izraelit dhe profesionistëve shqiptarë në fushën e inovacionit dhe sipërmarrjes.

“World Changers Porto Palermo” nuk ishte aktivitet izraelit. Organizator ishte Institute for Advanced Studies and Cooperation (IASC), në bashkëpunim me Porto Palermo Festival, ndërsa financimi vinte nga Ministria shqiptare e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Megjithatë, ambasadorja e Izraelit Galit Peleg deklaroi pas aktivitetit se ishte e vetmja ambasadore e huaj e ftuar për të folur, ndërsa tre nga pesë shqiptarët e një paneli tjetër kishin kaluar më parë në Izrael një program për inovacionin dhe sipërmarrjen.

Dy fakte që marrin më shumë peshë kur vendosen përballë aktivitetit të shtuar të diplomacisë izraelite në Shqipëri gjatë muajve të fundit dhe rritjes së interesit ekonomik të dokumentuar që prej vitit të kaluar.

Peleg mori pjesë në panelin për politikën, diplomacinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, ku foli për inovacionin në diplomaci, duke u ndalur te marrëdhëniet mes Izraelit dhe Shqipërisë.

Por një tjetër detaj i treguar prej saj është edhe më interesant.

Peleg veçoi panelin “Innovation, Creativity and Sustainable Living”, ku vetë nuk merrte pjesë. Sipas ambasadores, tre nga pesë panelistët shqiptarë kishin kryer në Izrael kursin “New Innovation and Entrepreneurship” dhe në Porto Palermo kishin folur edhe për eksperiencën që kishin marrë atje.

Në fund të postimit Peleg iu referua MASHAV Israel.

MASHAV nuk është një organizatë private trajnimesh. Është Agjencia Izraelite për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim, pjesë e Ministrisë së Jashtme të Izraelit. Përmes saj, profesionistë nga vende të ndryshme trajnohen në Izrael në fusha si inovacioni, teknologjia, sipërmarrja dhe bujqësia dhe më pas rikthehen në vendet e tyre.

Në Shqipëri ky rrjet funksionon prej vitesh.

Një prej emrave që mund të identifikohet publikisht është Denisa Kele, pedagoge dhe eksperte e teknologjisë, e prezantuar më parë në aktivitetet e Ambasadës së Izraelit si e diplomuar e MASHAV. Ambasada ka organizuar edhe aktivitete “MASHAV Tech Talk”, ku shqiptarë të kaluar nëpër këto programe janë rikthyer si folës për teknologjinë, sipërmarrjen dhe sigurinë kibernetike.

Për dy nga tre shqiptarët e tjerë të përmendur nga Peleg nuk ka të dhëna publike të mjaftueshme për t’i identifikuar me siguri. Por pohimi se tre nga pesë kishin kaluar programin në Izrael vjen nga vetë ambasadorja.

Dhe Porto Palermo nuk është i vetmi zhvillim i ditëve të fundit.

Vetëm një ditë më parë, Peleg ishte në Vlorë, ku u prit nga kryetarja e Bashkisë, Bruna Mersini.

“Diskutuam […] zgjerimin e bashkëpunimeve që ndikojnë në zhvillimin e qytetit, duke e kthyer këtë lidhje në një mundësi që shkon përtej së shkuarës”, shkroi Mersini pas takimit.

Në njoftimin publik nuk flitet për investime. Bashkëpunimi konkret lidhet me Muzeun Hebraik Shqiptar dhe promovimin e trashëgimisë hebraike të Vlorës. Por formulimi për zgjerimin e marrëdhënieve institucionale dhe fakti që një ditë më pas Peleg shfaqet si e vetmja ambasadore e huaj folëse në Porto Palermo e bëjnë të dukshëm intensitetin e kontakteve.

Ky aktivitet nuk fillon në gusht.

Më 12 maj, Peleg ishte në Cërrik me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Bujqësisë Andis Salla në fermën eksperimentale të shkollës profesionale “Mihal Shahini”, një projekt i zhvilluar me ekspertizën e MASHAV për transferimin e teknologjisë dhe njohurive izraelite në bujqësi.

Më pas erdhi “AgriNext 2026”, ku kompani dhe institucione shqiptare dhe izraelite u vendosën përballë njëra-tjetrës në takime B2B. Shqipëria dhe Izraeli nënshkruan edhe memorandum bashkëpunimi për bujqësinë dhe sigurinë ushqimore.

Pra kemi trajnime, një rrjet alumni, projekte konkrete, kontakte biznesi dhe një aktivitet diplomatik të shtuar. Por çfarë peshe ka ky rrjet dhe deri ku shtrihet?

Një pjesë tjetër e tablosë ishte shfaqur që vitin e kaluar.

Më 20 shtator 2025, Monitor publikoi analizën “Hyrja e heshtur e investimeve izraelite”. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë të cituara prej revistës, stoku i investimeve direkte izraelite kishte arritur në 6 milionë euro në fund të tremujorit të parë 2025, niveli më i lartë i regjistruar deri atëherë.

Shuma nuk ishte e madhe. Më interesante ishin sektorët ku po shfaqej interesi.

Monitor evidentonte financat, pasuritë e paluajtshme dhe industrinë e sigurisë, si edhe interesin e investitorëve izraelitë për krijimin e një banke dixhitale në Shqipëri. Revista paralajmëronte gjithashtu se statistikat zyrtare mund të mos tregojnë të gjithë kapitalin me origjinë izraelite, pasi investimet mund të strukturohen përmes kompanive të regjistruara në vende të tjera.

A janë këto zhvillime pjesë e një strategjie më të gjerë ekonomike dhe diplomatike të Izraelit në Shqipëri? Dokumentet publike nuk mjaftojnë për ta pohuar këtë.

Edhe për Porto Palermon faktet janë të qarta: konferenca nuk ishte aktivitet izraelit. Organizator ishte IASC dhe financues Ministria shqiptare e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Nuk ka të dhëna që Ambasada e Izraelit apo MASHAV të kenë financuar apo organizuar konferencën.

Pikërisht këtu qëndron edhe elementi që ngre pikëpyetje.

Në një konferencë që Izraeli nuk e organizonte, ambasadorja e tij ishte e vetmja ambasadore e huaj e ftuar për të folur. Në një tjetër panel, tre nga pesë shqiptarët kishin kaluar, sipas Peleg, nëpër një program të shtetit izraelit.

A është kjo thjesht rezultat i marrëdhënieve të konsoliduara mes dy vendeve, apo tregon se rrjeti profesional i krijuar përmes MASHAV ka fituar tashmë një shtrirje më të gjerë në Shqipëri?

Përgjigjja kërkon më shumë të dhëna. Por ajo që dokumentohet është se, paralelisht me rritjen e interesit ekonomik izraelit, është ndërtuar edhe një rrjet njerëzish, trajnimesh dhe bashkëpunimesh institucionale, i cili nuk kufizohet më vetëm te aktivitetet e Ambasadës.

Porto Palermo e bëri këtë rrjet të dukshëm.

Lexo gjithashtu

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme